Kreu i PD, Sali Berisha ka mbledhur ditën e sotme grupin paralamentar të partisë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se është i përfshirë në mënyrën më të pakontestueshme në një nga aferat më të zeza të kohërave.
Berisha u shpreh se 15 nga 16 faqet e akt akuzës për McGonigal i kushtohen Edi Ramës. Ai shtoi se Edi Rama është sjellë në mënyrën më të pabesë me partnerin strategjik të Shqipërisë, SHBA-të.
“Edi Rama është i përfshirë në një nga aferat më të zeza të kohërave, në një akt që tejkalon çdo normë dhe standard, moral dhe imagjinatë. De fakto, ai ka përdorur si aset të tij një nga njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë së SHBA-ve për definicion të botës së lirë, ish shefin e kundra inteligjencës së FBI-së, një nga njerëzit më të besuar të asaj toke dhe atij vendi.
Në qëndrimin e tij të papërgjegjshëm Edi Rama, përpiqet të hiqet duar jashtë. Në një kohë kur akt akuza, e botuar nga ministria e Drejtësisë së SHBA-ve në 16 faqet e saj, të paktën 15 i kushtohen fund e krye Edi Ramës, ish oficerit të policisë sekrete, bashkëpunëtorit të SHISH-it, Agron Nezaj, këshilltarit në hije të Edi Ramës, Dorian Duçkës. Edi Rama është sjellë në mënyrën më të pabesë, më jo miqësore ndaj partnerit tonë strategjik kryesor. Duke keqshfrytëzuar, duke trajtuar si aset në mënyrë të fshehtë një njeri që nuk meritonte kurrë atë post që kishte. Charles Mc Gonigal ka dy akuza kryesore.
Njëra akuzë është se ky i ngarkuar për të mbikëqyrur Oleg Vladimiroviç, një njeri nga më të afërtit e Vladimir Putinit, në fakt u shndërrua në aset të tij. Dhe ajo që është akti më i rëndë, një kryeministër i një vend anëtar të NATO-s, përdor mjete të paligjshme për të korruptuar këtë zyrtar. Çfarë dëshmon për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo aferë që është nga më tronditëset. Kjo dëshmon se mafia shqiptare është më e rrezikshmja e botës së lirë”, tha Berisha.