Që kur mbërriti te Real Madridi, Karim Benzema ka evoluar lojën e tij, duke e përshtatur atë me nevojat e skuadrës. Gjatë dekadës që jetoi me Cristiano Ronaldon, ai i la portugezit rolin e golashënuesit. E furnizoi me pasime portugezin, në mënyrë që lavdia t’i shkonte CR7.
Tani ai është kthyer në një “vrasës”, që do të thyejë një rekord stratosferik. Kundër Levantes ai ka mundësinë të vazhdojë të shtojë një dygolësh tjetër, diçka që e ka arritur në 11 ndeshje këtë sezon.
Ai ka edhe katër ndeshje të mbetura për ta përfunduar sezonin (Levante, Cádiz dhe Betis në La Liga, si dhe Liverpool-i në finalen e Ligës së Kampionëve), kështu që po të jetë aq i saktë sa gjatë gjithë sezonit, Benzema do të mundë Raúl González në renditjen e golashënuesve më të mirë të Real Madridit.
Cristiano Ronaldo – 451 gola
Raul Gonzalez – 323 gola
Karim Benzema – 322 gola
Alfredo Di Stefano – 308 gola
Carlos Santillana – 290 gola
‘Panço’ Puskas – 242 gola
Hugo Sanchez – 208 gola
Francisco Gento – 182 gola
Pepe Pirri – 172 gola
Emilio Butragueño – 171 gola
Asistet, golat e tij dhe magjia me topin iu ka sjellë shumë gëzim tifozëve madrilenë. Aq shumë, sa Karim Benzema është në “top 5” e lojtarëve të Real Madridit me më shumë tituj në histori. Një renditje ku ka mundësinë të ngjitet në podium nëse mposht Liverpool-in në finalen e Champions League më 28 maj.
Marcelo – 24 tituj
Gento – 23 tituj
Sanchís – 22 tituj
Ramos – 22 tituj
Benzema – 21 tituj
Benzema ka një vit të mbetur në kontratën e tij, megjithëse rinovimi edhe për të paktën një sezon është marrë si i mirëqenë. Ai është 34 vjeç dhe ka treguar se në nivel fizik dhe mendor mund të luajë në majë edhe për të paktën dy-tri vite të tjera.
Në pesë vitet e fundit ai ka mesatarisht më shumë se 45 ndeshje në sezon. Nëse i ruan këto shifra edhe në tri sezonet e tjera, do të bëhej lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Real Madridit. Tani për tani ai është i gjashti.
Raúl González – 741 ndeshje
Iker Casillas – 725 ndeshje
Manolo Sanchís – 710 ndeshje
Sergio Ramos – 671 ndeshje
Carlos Santillana – 645 ndeshje
Karim Benzema dhe Fernando Hierro – 602 ndeshje
Është e ndërlikuar që ai mund të kalojë Cristiano Ronaldon si golashënuesi më i mirë i klubit (129 gola e ndajnë atë), por është më e mundshme që ai të bëhet lojtari me më shumë tituj, duke qenë se ka Marcelo me tre tituj larg.
Francezi ka shënuar mesatarisht 23 gola në La Liga në tri vitet e fundit. Kështu, nëse e zgjat karrierën e tij në klub edhe për tri vite të tjera dhe ruan shifrat e tij, ai do të arrinte 286 gola, gjë që do ta vendoste direkt në “top 3” e golashënuesve më të mirë të ligës spanjolle. Tani për tani ai është i nënti me 217 gola, në një podium të zënë nga Messi (474 gola), Cristiano Ronaldo (311 gola) dhe Zarra (251 gola).