Fundjava dhe java e ardhshme do të shoqërohet me ulje të mëtejshme të temperaturave duke rënë në minus jo vetëm në zonat malore por edhe në zonat bregdetare.
Gjatë një interviste me zëdhënësen e Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni është shprehur për “Abc24.al” se ditën e hënë në datën 6 shkurt pritet të ketë temperatura akoma më të ulëta. Sipas matjeve nga IGJEUM, java që vjen do të jetë java më e ftohtë e muajit shkurt dhe java më e ftohtë e dimrit pasi muaji Janar u shoqërua me anomali në temperatura.
Konkretisht temperaturat deri të martën në zonat bregdetare priren në -1.2 ᴼC, në zonat e ulëta -3.9ᴼC dhe në zonat malore -11.0ᴼC.
Znj. Gjoni tha se fundjava pritet të ketë erëra dhe ditën e nesërme të ketë reshje të dobëta në të gjithë vendin.
Redaksia e pyeti zëdhënësen e IGJEUM se cilat akse rrugore paraqisnin më shumë rrezik për ditët në vazhdim dhe ajo deklaroi se në zonat malore do ketë vështirësi.
Megjithatë Birnari theksoi se nga ndryshimi i temperaturave duhet të ketë fokus edhe në zonat urbane për shkak të ngricave që mund të nderlikojnë lëvizjet.
Për shkak të temperaturave të ulëta nën 0ᴼC duke filluar nga dita e diel, e hënë dhe në vazhdim vendi do të shoqërohet me ngrica.