Siç është raportuar nga katalanasja “Sport” këtë të shtunë, Josep Maria Bartomeu u informua nga stafi i klubit mbi një ofertë prej 100 milionë eurosh për Ansu Fati, xhevahirin e ri në “kurorën” e akademisë së Barçës.
Presidenti i Blaugrana-ve e bëri të qartë se Ansu nuk është në shitje, kështu që çështja nuk u diskutua. Një shenjë e sigurisë së Bartomeut në një moment delikat për ekonominë e klubit, i cili ka nevojë për likuiditet, që të afrohet sa më shumë me një buxhet të plotë, i cili do të përmbushë pagat e larta të lojtarëve.
Kjo gjë dëshmon se Ansu Fati mbetet në qendër të projektit të vazhdimësisë. Në fakt, siç raportohej nja dy javë më parë, objektivi i Barçës është të mbajë talentin e vet, meqë Neymar, sipas të gjitha gjasave, nuk do të kthehet në “Camp Nou”. Kjo nënkupton se ka tejkaluar në hierarki edhe Ousmane Dembélé, i cili është në shitje, pas tri sezonesh të frustruara.
Barça dëshiron që Ansu Fati t’i harrojë sirenat e merkatos, ofertat multimilionëshe dhe të përqëndrohet në tejkalimin e problemeve me dëmtimin, për ta ndihmuar skuadrën në këtë fund të sezonit, në të cilin lojërat do të dendësohen shumë.