Tetë atletë adoleshentë ukrainas që janë strehuar në Shqipëri, po vazhdojnë stërvitjet e tyre sportive në qytetin e Elbasanit. Por, me mendje e zemër ata janë në shtëpi tek familjarët e tyre që po vazhdojnë të përballen me agresionin rus.
Atletë të rinj nga Ukraina që kanë gjetur strehim në Shqipëri flasin mbi mallin për familjet, frikën dhe dhimbjen që po u shkakton agresioni i Rusisë kundër vendit të tyre, ndërsa vazhdojnë stërvitjet në qytetin e Elbasanit.
“
Më mungon nëna dhe vendi im, Më mungon qyteti im, stërvitjet. Më mungon trajneri. Ata qëndruan në shtëpi, ndërsa unë jam e vetme. Më mungojnë këshillat e gjyshes dhe gatimet e nënës. E dua familjen dhe trajnerin tim. Të gjithë më mungojnë
“, thotë Maria Lariva.
“Dua të kthehem sepse më mungon familja ime. Të gjithë duan të shkojnë në shtëpi. Shqipëria është vend i mirë, por ne jemi ukrainas. Duam të kthehemi tek prindërit tanë
“, thotë Valentyn Loboda.
Maria dhe Valentyn, së bashku me gjashtë sportistë të tjerë ukrainas, u larguan nga vendi i tyre për t’u përgatitur për kampionatin botëror të atletikës për sportistët nën 20 vjeç që mbahet në gusht.
Nga fundi i marsit atletët nuk janë takuar me familjarët e tyre që ndodhen në qytetin Bakhmut në rajonin e Donjetskut.
“
Kjo nuk është luftë. Po vriten njerëzit e Ukrainës. Prandaj duhet të ndërpritet menjëherë, sepse njerëzit po vdesin dhe qytetet po shkatërrohen
“, thotë atleti Loboda.
“
Shpresojmë që lufta të përfundojë së shpejti. E di se Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Të gjithë njerëzit duhet ta duan fundin e kësaj lufte sepse po vdesin prindër e fëmijë. Është shumë e rëndë dhe e dhimbshme për vendin tonë
“, thotë sportisja Lariva.
Megjithëse u mungojnë shumica e pajisjeve të nevojshme, atletët e rinj po vazhdojnë stërvitjet me ndihmën klubit sportiv “Elbasani”.
“Ne u kemi ofruar kushtet themelore për të respektuar një të ardhur, një mik. Tani ata janë miq të shtëpisë sonë. Ne u ofrojmë atë që është e domosdoshme për një njeri normal por dhe si sportist. Një vend për të fjetur dhe ushqimi sipas parametrave që ata kanë kërkuar
“, thotë Artin Kovaçi, drejtor i klubit sportiv “Elbasani”.
Sportistët adoleshentë shprehen mirënjohës ndaj autoriteteve shqiptare për mbëshetjen e ofruar nga data 24 shkurt, kur edhe filloi sulmi rus mbi Ukrainën./VOA