As nuk u shit, as nuk u ble, Shkodra besoi! Një shënim për Ramën, Benetin dhe avazin e Saliut (përfshirë Tomën dhe Agronin)

0
Gjigandi

Botuar në: Gazeta Dita

Nga: Alban Dabulla (Botues i gazetës DITA)

Të bëhen hetime mbi akuzat për vota të blera kudo dhe për këdo. Për Tomën, Metën, Saliun, Himarën, etj, etj. Për të gjithë. Por në Shkodër, ku foltoret dhe qajtoret, nuk po e kthejnë as këtë herë pasqyrën nga vetja, Vota Qytetare dhe Qytetaria e bënë ndryshimin e madh! Jo pazarxhinjtë e përhershëm. Shkodra as nuk u shit, as nuk u ble. Shkodra besoi.

Votimet vendore në Shkodër ishin pa asnjë dyshim, goditja më e fortë ndaj opozitës, veçanërisht ndaj drejtuesit të Foltores, Berisha, dhe shefit të partizës familjare, Metaj. Por rezultati i 14 majit nuk ishte i befasishëm për banorët e Shkodrës.

Ka një ndryshim të madh nga ajo që besojnë dhe duan të besojnë drejtuesit e BF, nga ajo që besojnë dhe duan të besojnë qytetarët. Të parët mendojnë fillimisht pushtetin, veten, sidomos kur kanë rëndesa të mëdha politike, dërmuese dhe përjashtuese, si është rasti i tanishëm; të dytët mendojnë qetësinë, prosperitetin, të ardhmen.

Ndërsa të parët, përmes Shkodrës, trazirave, abuzimit, gjakut e kanë siguruar të ardhmen financiare të disa brezave të fisit të tyre, të dytët, qytetarët, të lodhur nga e njëjta lojë e 32 viteve besuan dhe duan të vazhdojnë të besojnë se do ketë një të ardhme ndryshe edhe për ta.

Por pas humbjes, siç e prisnim, po hidhen e priten në pazarin mediatik të opozitës, tymset e përhershme për shitblerje votash, për qytet-rrethim, për banda, për dhunë e presion, etj, etj, madje ndonjë media afër Saliut ka hedhur edhe idenë se Shkodrën e përmbysën votat e Tom Doshit apo Agrom Çelës.

RonaTyra

Nëse vijojnë me këto qëndrime qesharake, pa e kthyer as këtë herë pasqyrën nga vetja, foltoret dhe qajtoret vetëm se do e thellojnë distancimin që kanë krijuar me pasuesit e tyre.

Shkodra nuk u fitua, as me vota të blera, as me presione, as me votat e Doshit apo Agronit. Po të jetë për këto të fundit, ato aty kanë qenë dhe në zgjedhjet e shkuara, por ndryshimi nuk kishte ndodhur.

Sa për shitje votash, është e papërfytyrueshme që hidhet baltë mbi më shumë se 34 mijë qytetarë dhe familjet e tyre, të cilët e paskëshin shitur shpirtin, bindjet dhe të ardhmen për një grusht parash, me të cilat, edhe në rastin më famoz që sjell “doktorri” nuk e shtyjnë dot më shumë se dy javë.

Nëse Saliu mendon se ka pasur deri tani pasues që shiten për dy javë bukë, atëherë ai nuk ka pasur asnjë bastion në Shkodër, por njerëz që, pasi i ka blerë, mendon se tani janë shitur diku tjetër.

Sa për “presione”, si në pak vende të tjera, dhe, si pak herë në Shkodër, fushata e 14 majit ishte tejet e qetë, pa asnjë konflikt, pa asnjë denoncim, shqetësim apo përplasje. Nganjëherë të dukej se ishte një ballafaqim i padukshëm, por që në jetën qytetare kaloi lehtësisht.

Pra, arsyet e përmbysjes në Shkodër duhen kërkuar gjetkë. Shkurt, ato përmblidhen në tri shtylla themelore: Edi Rama dhe njeriu i zgjedhur prej tij, Benet Beci, lodhja e stërzgjatur e njerëzve nga dyshja Berisha-Meta, dhe dëshira për ndryshim. Të tjerat janë anësore.

Nëse, deri diku, ishin lodhur nga Berisha, që në 32 vite e përçau partinë e tij 32 herë, bashkimi me Ilir Metën, i vuri kapakun. Është një shprehje e vjetër: “e di luga, se çfarë ka vekshi”. Vekshi është një enë balte ku zihen ushqimet. Shkodranët nuk ishin jashtë këtij vekshi, ata ishin brenda saj. E dinin se kush është Berisha, besimi ndaj të cilit është në rënie të lirë, dhe, mbi të gjitha e dinë edhe sot e kësaj dite se kush është Ilir Meta.

Se çfarë kanë bërë këta për Shkodrën, edhe këtë e dinë. E shkretuan zonën industriale, vendosën në krye të vjedhjeve banda që shkretuan qytetin, përmbysën vreshtat, shkatërruan administratën, në fund hodhën në erë shtetin.

Në fakt, në Shkodër ka pasur gjithnjë përpjekje të së majtës për të qenë afër qytetarëve, në mal, në bregdet apo në lagjet e qytetit. Kandidatët e saj kanë qenë të spikatur. Por “doktorri”, duke e trajtuar Shkodrën si bastion, bëri çdo përpjekje dhe vitet e para arriti ta kryente një lidhje mes të shkuarës dhe socialistëve. Kjo e bënte të vështirë objektivin që kishte e majta.

Qyteti ende kishte mjaft plagë nga komunizmi dhe në vitet e para e besoi këtë njësim. Tashmë vazhdimi i përrallës politike për përfitime financiare ka ardhur në fund.

Në pak javë njerëzit në Shkodër u përballën me dy qëndrime: mallkimit opozitar dhe dëshirës për punë. Ishte si të ndeshej viti 1992 me vitin 2023. Askush nuk e do kthimin pas.

Vetëm në bashkinë e Shkodrës, në vitin  2022, votat e opozitës, duke bashkuar në një, Foltoren dhe Partinë e Vulës, ndaj së majtës kishte një mbi votim prej 9669 votuesve. Një vit më vonë kishte një minus prej 11727 votues. Humbja e opozitës ishte në të gjitha njësitë vendore. Edhe në bastionet brenda bastionit.

E parë në tërësi, në 14 maj, PS ka tkurrje në bastionet e saj, ngritje në bastionet e PD. Kjo është temë për t’u analizuar nga specialistë të fushës e mbi të gjitha nga vetë Rama. Në fakt duhej analizuar nga PS, por Rama është PS, sot. Për shkak të autoritarizmit? Apo pamundësisë për të gjetur njerëz të afte në këtë tollovi e tallava, është temë tjetër.

Është e vërtetë se në Shkodër aleanca e krijuar mes PS, socialdemokratëve të drejtuar nga Tom Doshi dhe roli i Agron Çelës ka pasur përparësitë e veta, por nuk kanë përbërë thelbin e asaj që ka ndodhur.

Edhe më heret ka pasur një bashkërendim të tillë, koha kur Ilir Meta braktisi Berishën për t’u afruar me të majtën, por  ndryshimi nuk ka ardhur. Socialdemokratët kanë vota kanë pasur edhe më herët, kaq edhe kanë marrë.

Kurse Agron Çela me 2500 votat e tij (në kohen më të mirë), nuk i hynë në pune askujt, përveç ofiqeve që do kërkojë në të ardhmen, si pjesë e ekipit. Edhe ky, ka qenë në 2013, edhe në 2015 e prapë nuk e ka marrë Shkodrën.

Fakti që Shkodra, megjithëse ka pasur bashkime të tilla politike mbeti gjithnjë në drejtimin e konglomeratit politik të opozitës së tanishme, është shenjë se ndryshimi i madh ka ndodhur në vetë PS, në konceptin e ri për të ju drejtuar nga më afër qytetarëve, dhe, në fillimin e ri të idesë konceptuale për Shkodrën.

Shumësia e prioriteteve sjell ndryshim, jo minimizimi i tyre, si kërkon opozita, të ngushtojë faktorët e ndryshimit.

Ishte vizioni që gjeti përkrahje masive. Jo shitja e vlerja e votave. Nëse do të kishte ndodhur shitblerja e votave, me kutin e Berishës, vetëm në Shkodër do të ishin hedhur rreth 17 milion euro, dhe, nëse ka fakte, të sillen para drejtësisë.

Shumë nga ata që besuan PS dhe Benet Becin kanë votuar dikur për Berishën dhe forcën politike që ka zaptuar. Le të gjejë dhjetë dëshmitarë – ai është i njohur për krijimin e dosjeve – t’i paraqesë para strukturave të drejtësisë , të shpallë fajtorin dhe të gjejë prehje.

Në Shkodër, për shembull, përmes një sondazhi të bërë nga data 4 deri në 7 maj, anketim i shtrirë që nga Dukagjini e deri në Velipojë, me 2002 pjesëmarrës, nuk kishte asnjë të anketuar që, në vitin 2021 kishte votuar PSD dhe tani nuk do të votonte Benet Becin dhe PS.

Vota qytetare bëri ndryshimin, jo pazarxhinjtë. Nëse ka pasur shit blerje votash, pra vota të blera , vota të shitura, vota në transformuara, kudo që të jenë, nga Meta, Saliu apo Doshi, nga grekërit në Himarë apo kudo tjetër,  le të bëhen hetime, të gjenden fajtorët, të ketë ndëshkim.

Shkodra as nuk u shit, as nuk u ble. Shkodra besoi. Te PS e Ramës dhe Benet Beci. Sikur çdo bashki të kishte harmoninë si në Shkodër midis Ramës dhe Becit, fitorja do ishte më e madhe dhe më therrëse për zullumqarët e 30 viteve.

E vërteta është që përveç Shkodrës që kishte vërtetë kandidat, të gjitha bashkitë e tjera i fitoi vetë Rama.

“Përpara” tashmë nuk është më një sllogan i rëndomtë elektoral i Ramës apo i PS-së, është trajektorja jonë kombëtare, përfshi edhe atë këngën tallava, që tregon realitetin e djeshëm, dhimbjen e sotme dhe shpresen e të nesërmes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu