Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në familje.
Arrestohet në flagrancë 42-vjeçari që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanosi atë me thikë.
Gjatë kontrollit në banesë, 42-vjeçarit iu gjet një armë sportive, që e mbante pa leje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit të marrë nga shtetasja J. Sh. se bashkëshorti i saj e dhunonte vazhdimisht dhe e kishte kanosur me armë të ftohtë (thikë), kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i ngjarjes së mundshme kriminale në familje, pasi ky shtetas e ka dhunuar vazhdimisht bashkëshorten e tij dhe e ka kanosur atë se do ta vriste me mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Sh., 42 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë sportive (pushkë), e cila u sekuestrua së bashku me thikën, në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.