Kancelarja gjermane Angela Merkel, të njëjtën i kërkoi Bashkimit Evropian të arrinte një marrëveshje për planin e rimëkëmbjes me vlerë 750 miliardë euro deri në fund të korrikut për të ristartuar ekonominë e rënduar nga pandemia e koronavirusit.
“Gjëja më e mirë e mundshme do të ishte arritja e një marrëveshjeje para pushimeve të verës dhe më pas të negociojmë me parlamentin evropian gjatë presidencës sonë dhe parlamentet kombëtare do të kenë kohë të ratifikojnë vendimin në fund të vitit”.
Duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri – tha Merkel. Shefja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen, propozoi fondin për të ndihmuar BE në recesionin më të thellë të saj në histori, por plani u ndesh menjëherë në kundërshtitë e vendeve anëtare konservatore, përfshirë Austrinë dhe Holandën.
Paketa e propozuar konsiston në 500 miliardë euro në grante dhe 250 miliardë euro në hua por kërkon miratim unanim të BE. “arritja e marrëveshjes nuk do të jetë aspak e lehtë por unë shpresoj që të gjitha vendet anëtare të veprojnë në shpirtin e kompromisit përballë situatës së paprecedenttë – tha Merkel. Kohezioni dhe solidariteti nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme se sot.
Kriza mund të kapërcehet nëse ne veprojmë të bashkuar. Këshilli evropian do të mbajë një samit në lidhje video më 19 qershor, për paketën stimuluese të shumëdebatuar, më e madhja e deritanishme e BE. Sidoqoftë një vendim nuk pritet deri sa liderët të takohen personalisht, tha Merkel, vendi i të cilës merr presidencën e radhës së BE në korrik.
Burimi: top-channel.tv