Në vazhdën e aktiviteteve që po realizohen në kuadër të programit “Dialogu për Komunat Evropiane” (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, ambasadori i këtij shteti Jens Erik Grondahl, i shoqëruar edhe nga Valmir Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, kanë qëndruar sot në Viti, ku janë pritur nga kryetari i komunës Sokol Haliti me bashkëpunëtor.
Fillimisht kryetari Haliti, duke u dëshiruar mirëseardhje, ka falënderuar mysafirët për vizitën në Viti e më pas e njoftoi ambasadorin norvegjez me aktivitetet komunale, të arriturat, resurset që i posedon kjo komunë, projektet që janë realizuar dhe nevojat që ka komuna e Vitisë. Ambasadori Grondahl, u informua edhe për sfidat, si dhe progresin në komunën e Vitisë gjatë viteve të fundit.
Gjithashtu u interesua edhe për pozitën e të rinjve vitias dhe perspektivën e tyre në të ardhmen.
Vizita e ambasadorit të Mbretërisë së Norvegjisë Jens Erik Grondahl, është realizuar në kuadër të vizitave që ai po zhvillon nëpër komunat e Republikës së Kosovës, për tu njohur me zhvillimet pozitive dhe me praktikat e mira të funksionimit institucional.
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale KLGI, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë është duke implementuar programin “Dialogu për Komunat Evropiane” (DEM).
Ky program synon të forcojë qeverisjen lokale përmes avancimit të dialogut dhe politikave ndër-institucionale, ndërtimin e kapaciteteve, rritjen e rolit të komunave, promovimin e digjitalizimit dhe inovacionit, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në shenjë falënderimi për vizitën e realizuar sot në Viti, kryetari Haliti, e nderoi me një mirënjohje ambasadorin Grondahl.