Agjencia Kombëtare e Bregdetit ‘lan duart’ nga tragjedia e Himarës: Kontrollet në det t’i bëjë policia Kufitare, jo ne

0
125
Gjigandi

Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka reaguar në lidhje me tragjedinë e Himarës, ku skafi aksidentoi për vdekje të miturën, Joanda Avdia.

AKB shprehet se kontrolli e verifikimi i mjeteve lundruese si edhe për korridoret hyrëse dalëse të këtyre mjeteve në nuk është përgjegjësi e tyre.

Në reagim thuhet se duhet të jetë Policia kufitare në bashkëpunim me Drejtorinë Detare që duhet të bëjë kontrolle.

Reagimi i plotë:

“Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) informon se bazuar në parashikimet e ligjit nr. 127/2020 “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin  e mjeteve lundruese turistike  dhe të argëtimit”, kontrolli dhe verifikimi i dokumentacionit të mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit ushtrohet nga Policia Kufitare dhe e Migracionit.

Mjetet lundruese mund të operojnë vetëm në zonat e përcaktuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe qarkullimi i tyre në zonën e bregdetit është i ndaluar. Për gjendjen e mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe korridoret hyrëse dalëse, Policia kufitare bashkëpunon ngushtësisht dhe me Drejtorinë e Përgjithshme Detare.

-AKB, sipas fushës së veprimtarisë, është institucion përgjegjës për kontrollin dhe inspektimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet si stacion plazhi, me objekt verifikimin e subjekteve për pajisjen me kontratën për përdorimin e hapësirës së plazhit dhe verifikimin e zbatimit të kushteve dhe kritereve sipas VKM nr. 171 datë 27.03.2019 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, i ndryshuar.

-Ky proces ka filluar në muajin qershor 2022 dhe do të vijojë deri në fund të sezonit turistik.

-Ndaj të gjithë subjekteve të konstatuara nga AKB në shkelje ligjore, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 93/2015“Për Turizmin”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 10433 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, janë ndërmarrë masat administrative, të parashikuara në ligj, për mungesën e kontratës së përdorimit të hapësirës së plazhit, mospaisjen me vrojtuesin e plazhit dhe paralajmërime në rast mosplotësimi të kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Plazhit.

-Në total, nga AKB, deri në këto momente janë kryer gjithsej 178 inspektime”, thuhet në reagim./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu