Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka nisur dhënien e dëshmisë në komisionin hetimor për inceneratorët. Ahmetaj u pyet fillimisht nga kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, nëse ka njohje me shtetasit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.
Në përgjigjen e tij zv. kryeministri theksoi se njeh 95% të biznesit shqiptar për shkak të punës së tij 31-vjeçare, por shtoi se me personat e sipërpërmendur nuk ka as lidhje gjaku, as krushqie apo biznesi.
Pjesë nga diskutimet:
Jorida Tabaku: Zoti Ahmetaj keni njohje me shtetasit Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri?.
Arben Ahmetaj: Faleminderit për pyetjen kam shumë kohë që e pres. Unë jam 55-vjeç dhe kam 31 vjet që punoj, pyetja për mua do ishte kë nuk njeh në republikën e Shqipërisë. Megjithëse ju po dilni nga puna e objektit të komisionit, po ju jap një përgjigje që nuk i kam as gjak, as lidhje krushqie, as partner biznesi, kemi qenë në të njëjtin qytet, madje madje Zoton e kam të njohur në distancë, as nga afër.
Përgjigjja ime është që nuk kam asnjë lidhje gjaku, as lidhje krushqie, as lidhje biznesi, as lidhje varësie pune dhe asnjë lloj lidhjeje.
Ju përgjigja në respektin tuaj dhe pse pyetja nuk është në objektin e komisionit. Objekti i këtij komisioni është procedura. Po ju them që në këtë vend, duhet të pyetet se kë nuk njoh. Pasi unë njoh 95% të bizneseve në këtë vend. Unë kam një jetë që udhëtojë brenda dhe jashtë vendit me shumë miq. Ky nuk është objekt. Juve doni të shuani kuriozitetin për jetën time private? Si përgjigjem unë. jeni duke shuar kuriozitetin për komision.
Tabaku: Keni udhëtuar ndonjëherë me këta persona?
Ahmetaj: Kam udhëtuar me shumë miq. Por ky nuk është objekt i komisionit. Nëse ju doni të shuani kuriozitetin për jetën time private.
Tabaku: E lidh me çështjen e ligjit të pronarëve përfitues.
Ahmetaj: Një ligj që e kam bërë unë kur isha ministër i Financave.