Zyrtarët e Oregonit kritikojnë arrestimet nga agjentët federalë në Portlënd

0
Gjigandi

Veprimet e agjentëve federalë, sipas Unionit Amerikan për të Drejtat Civile, “duhet të shqetësojnë të gjithë amerikanët” Agjentët federalë me uniformat e kamuflazhit kanë arrestuar njerëz në rrugët e Portlandit, jo pranë pronës federale ku janë dërguar të mbrojnë, në veprime që sipas Unionit Amerikan për të Drejtat Civile të Premten “duhet të shqetësojnë të gjithë popullatën në Shtetet e Bashkuara”.

“Zakonisht kur shohim njerëz në makina pa targa që kapin me forcë dikë në rrugë, ne e quajmë atë rrëmbim,” tha Jann Carson, drejtori i përkohshëm ekzekutiv i Unionit Amerikan të Lirive Civile të shtetit Oregon. “Veprimet e oficerëve të militarizuar federalë janë tërësisht jokushtetuese dhe nuk do të kalojnë pa përgjigje “. Guvernatorja Kate Brown tha se Presidenti Donald Trump, i cili dislokoi oficerët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Portland, po kërkon një konfrontim me shpresën për të fituar pikë politike diku tjetër.
Guvernatorja demokrate të enjten i quajti veprimet “një abuzim të ashpër të pushtetit nga qeveria federale”. Zëdhënësi i saj, Charles Boyle, tha të premten se arrestimi i njerëzve pa shkak është “jashtëzakonisht shqetësues dhe shkelje e lirive të tyre civile dhe të drejtave kushtetuese”. Oficerët federalë kanë akuzuar të paktën 13 persona për krime në lidhje me protestat deri më tani, njoftoi të enjten Agjencia e Transmetimit Publik të Oregonit. Disa janë ndaluar nga gjykata federale, e cila ka qenë skenë e protestave. Por të tjerët u ndaluan disa metra larg.
Një video tregonte dy persona me helmeta dhe uniformë kamuflazhi duke rrëmbyer një person në trotuar, dhe duke e futur në një automjet pa targa. “Kush jeni ju?” pyet dikush në video, pa marrë përgjigje. Të paktën disa nga oficerët federalë i përkasin Departamentit të Sigurisë Kombëtare. “Qeveritë autoritare, dhe jo republikat demokratike, dërgojnë autoritete të panjohura pas protestuesve,” tha në Twitter senatori demokrat Jeff Merkley. Dega e Këshillit për Marrëdhëniet Ameriko-Islamike në Oregon tha në një deklaratë: “Tani ne po shohim taktika përshkallëzimi me protestuesit që janë arrestuar në mënyrë të paligjshme nga subjekte të panjohura federale të zbatimit të ligjit”.
Të enjten mbrëma, oficerët federalë hodhën gaz lotsjellës dhe qëlluan me fishekë jo vdekjeprurës mbi një turmë protestuesish, disa orë pasi kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare vizitoi qytetin dhe i quajti demonstruesit, të cilët po protestojnë kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë, “anarkisë të dhunshëm”. Disa qindra njerëz u mblodhën pranë gjykatës federale të enjten në mbrëmje. Protestuesit e tjerë shkuan në një stacion policie në një pjesë tjetër të qytetit. Policia u tha protestuesve që të largoheshin nga ajo zonë pasi njoftuan se kishin dëgjuar disa thirrje për djegien e ndërtesës.
Sekretari në Detyrë i Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha të enjten se autoritetet e shtetit dhe të qytetit duhet të fajësohen për mos dhënien fund të protestave, gjë që zemëroi zyrtarët vendorë. Kryetari i bashkisë Ted Wheeler dhe të tjerë, kanë thënë se ata nuk kërkuan ndihmë nga forcat federale të zbatimit të ligjit dhe në fakt u kanë kërkuar atyre të largohen.
Tensionet janë përshkallëzuar në dy javët e fundit, veçanërisht pasi një oficer qëlloi në kokë një protestues më 11 korrik, duke e lënduar në mënyrë kritike. Protestat pas vrasjes së George Floyd në Mineapolis shpesh janë kthyer në përleshje të dhunshme midis grupeve më të vogla dhe policisë. Trazirat kanë shkaktuar përçarje të thella në një qytet që krenohet me aktivizmin e tij dhe reputacionin progresiv./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu