Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, asnjëherë nuk jep një „po“ pa pasur dicka tjetër në këmbim. Edhe për heqjen e vetos për anëtarësimin e Finlandës e Suedisë ai ka marë shumë në këmbim. Mediat thonë se kjo u pa kur administrata Biden tha se mbështeti shitjen potenciale të avionëve luftarakë F-16 në Turqi.
Ndihmës sekretarja për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Pentagon, Celeste Wallander, tha se kapacitetet e fuqishme turke të mbrojtjes do ta përforcojnë mbrojtjen e NATO-s, shkruan sot The Guardian.
Presidenti amerikan Joe Biden takoi Erdoganin në samitin e NATO-s në Madrid pas marrëveshjes mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, ku dy shtetet nordike u zotuan të ndërmarrin hapa për të kontrolluar mbështetjen për terrorizmin kurd në shtetet e tyre.
Media thotë se presidenti amerikan Bidene shpërbleu heqjen e vetos nga Erdogani duke organizuar takimin e Madridit dhe duke autorizuar zyrtarët e tij të thonë se ishin të gatshëm të ndihmonin në modernizimin e forcave ajrore turke. Presidenti amerikan falënderoi Erdoganin për rolin e tij në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të OKB-së, përmes së cilës rezervat e grurit ukrainas mund të largohen nga portet e Detit të Zi. Rusia lajmëroi OKB-në se ishte e gatshme të ecte me planet e mbikëqyrura nga Turqia ku 25 milionë tonë drithë do të transportoheshin nga porti i Odesas në Ukrainë.
Duke folur për modernizimin e forcave ajrore turke, Wallander tha: “SHBA-ja mbështet modernizimin e flotës luftarake të Turqisë sepse ajo është kontribut për sigurinë e NATO-s, kështu edhe për sigurinë amerikane”.
Turqia i bëri kërkesë SHBA-së në tetor që të blinte 40 F-16 luftarakë dhe gati 80 pajisje të modernizuara për avionët luftarakë ekzistues.
Washingtoni nuk ka shprehur haptazi një mendim për shitjen përveç se të gjitha shitjet e armëve duhet të shkojnë përmes procedurave ligjore. Zyrtarët amerikanë mohuan çdo pretendim se Washingtoni po mbështeste kërkesën për avionët luftarakë në mënyrë që të heqë kundërshtimet e Turqisë për Finlandën dhe Suedinë.