VOA: Shënohet në Kosovë dita botërore e autizmit

0
VOA: Shënohet në Kosovë dita botërore e autizmit
Gjigandi

Me moton “Ec me mua, çdo hap numrohet”, në sheshet kryesore të Prishtinës u zhvillua të shtunën një parakalim për nder të ditës botërore të autizmit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, nën organizimin e së cilës u zhvillua kjo veprimtari, tha se ka ende shumë punë për të bërë që personat me autizëm të ndihen të barabartë në shoqëri.

“Mbi të gjitha t’u falim këtyre fëmijëve dhe të rriturve dashurinë që e meritojnë, respektin që e mertiojnë dhe mbështetjen që meritojnë. Si institucione jemi të përkushtuar që të bëjmë gjithçka në mënyrë që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe t’u jepet kjo mbështetje”,

tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të organizuar për nder të kësaj dite, tha se qeveria po përpiqet të punojë në përfshirjen e fëmijëve me autizëm në sistemin shkollor.

RonaTyra

“Për prindërit është sfidë përfshirja e nxënësve me autizëm në sistemin shkollor megjithëse një gjë të tillë e parasheh ligji. Kjo sepse është i nevojshëm asistimi i rregullt në orarin mësimor, prandaj gjatë gjithë këtij viti janë shtuar 100 asistentë për mbështetjen profesionale të fëmijëve. Do të shtohen edhe nga 100 asistentë të tjerë cdo vit deri në fund të mandatit”

, tha ai.

Shpresa Xhakli, veprimtare e kësaj fushe, tha se në Kosovë ndër të tjera ka mungesë të shërbimeve të nevojshme për personat e prekur nga autizmi.

“Fëmijët tanë po torturohen duke u dërguar në Shkup, Shqipëri e Turqi për të kryer analizat laboratorike. Kemi laboratore, kemi aftësi që këto shërbime të krijohen në Prishtinë”,

tha ajo.

Violeta Hyseni, nënë e një vajze me autizëm, njëherësh drejtuese e organizatës “Autizmi flet” tha se organizatat e tilla që trajtojnë këta fëmijë duhet të kenë mbështetje më të madhe.

“Sigurimi i hapësirave pa pagesë, fatkeqësisht ne asi organizata pëballemi me shpenzime të qerasë, sepse na duhet hapësirë për shërbimet tona që i ofrojmë cdo ditë nga ora tetë në mëngjes e deri në tetë në mbrëmje. Mendojeni një banesë dy – tri dhomëshe, me banorë përreth, ku cdo ditë kemi sfida e ndoshta edhe ofendime të tipit që ky vend nuk është për juve”,

tha ajo.

Viti 2022 është shpallur nga Qeveria e Kosovës si vit i personave me nevoja të veçanta. Sipas organizatave që merren me personat me nevoja të veçanta, ata vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet të cilat u pamundësojnë jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Kosovës./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu