Partia Socialiste po zhvillon një fushatë pozitive edhe për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, me objektiva të qarta për punët që do të bëjë pas fitores. Kështu e nisi fjalën e tij, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e zhvilluar në Bërxullë të Vorës, ku kandidati socialist për kryetar bashkie është Blerim Shera.
“
Ne sjellim vetëm frymë pozitive, pa konflikte dhe sherre. Duket ku është fitorja, duket ku janë njerëzit që i bëjnë gjërat me dashuri e jo me inat, që e duan votën për të bërë punë e jo për të bërë sherr. Po ata për çfarë e duan fitoren? Për t’i bërë karshillëk tjetrit! E duan fitoren për t’i ulur kokën tjetrit! Për t’i përçarë njerëzit! E duan fitoren për t’i ndarë komunitetet tona! E duan fitoren për ta kthyer rrotën e historisë mbrapsht! Ne e duam fitoren për punë! Kjo është një fitore ku puna nis ditën e fitores. Gara bitiset më datë 6 mars, por puna fillon menjëherë më pas”
, tha Veliaj.
Ai shtoi se Blerim Shera, kandidati i PS në Vorë, e kërkon votën e secilit prej qytetarëve për të bërë edhe më shumë punë.
“
Ata thonë ‘na e jepni votën më 6 mars, që më 7 mars të fillojë sherri përsëri’. Sherri i tyre, për bravën e tyre, për karriget e tyre, për zyrat e tyre, për interesat e tyre, për hallet e tyre, për lakminë e tyre, për babëzinë e tyre – jo për hallet tona! Ndaj, pyetja për miqtë dhe vëllezërit tanë të djathtë është: Votën e ke levë, e ke kopan për sherr, apo e ke instrument për të bërë punë? Nëse e ke për të bërë punë, Blerim Shera dhe Partia Socialiste e duan votën për punë. Nëse mendon se vota jote është pa vlerë dhe ti thua se për hir të partisë, për traditën familjare, meqë më ka shkuar dora gjithmonë andej, do ia japësh njërit prej atyre dy të tjerëve, që janë humbësit, se dihet si po shkon historia, praktikisht po investohesh në sherr, se një votë për secilin prej tyre është që të vazhdojnë sherrin
“, shtoi Veliaj.
Drejtuesi socialist i qarkut tha se ata që përfaqësojnë PD, Vorën e kanë tranzit vetëm për vota, pasi tashmë dihet që kanë vetëm dy stacione: një në Tiranë dhe një në Gjirin e Lalzit. Ndërsa për PS, Vora është destinacion, gjë që dëshmohet edhe nga prania dhe angazhimi i deputetëve si Paulin Sterkaj dhe Luljeta Bozdo, si të deleguar të zonës.