Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja iu përgjigj deklaratave të presidentit Ilir Meta nga parlamenti ku ky i fundit është shprehur se radha për përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetueses duhet të kalojë nga një për çdo institucion.
Sipas Manjës, Meta me këtë deklaratë provon se ka një qëllim dashakeqas, që synon bllokimin e kësaj gjykate.
“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. 1/3 i ripërtërihet mandati çdo tre vjet. Tre anëtarë i emëron presidenti, tre Kuvendi dhe tre Gjykata e Lartë. Nëse ata nuk e ushtrojnë këtë kompetencë, kandidati i renditur i pari në listën e KED zgjidhet automatikisht. Ligji thotë se në rast se presidenti brenda 30 ditëve që kur ka marrë këtë listë nuk e ushtron këtë të drejtë, kandidati i parë emërohet automatikisht. Presidenti ka marrë dy lista. Deri në datën 7 nëntor duhet të kishte emëruar dy anëtarë.
Ka dekretuar Besnik Muçin ndërsa për anëtarin e dytë i ka dërguar një letër KED. Dekretimin do ta bëj sipas radhës, një presidenti, një kuvendi dhe një Gjykata e Lartë. Radhën e ka përcaktuar kushtetuta për të shmangur konlfiktin mes institucioneve por nuk përcakton se kush duhet të veprojë i pari. Radha është përcaktuar sepse ka pasur në konsideratë përtërijtjen normale të Kushtetueses.
Por nuk jemi në kushte normale. Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me një anëtar. Arsyetimi i presidentit është dashakeq, sepse në këtë mënyrë synohet bllokimi i bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Brenda datën 13 nëntor ka detyrimin të zgjedhë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me organet e tjera kushtetuese. Ftoj presidentin dhe KED që të zhbllokojmë Gjykatën kushtetuese”, tha Manja.