UEFA raportohet se ka plot 1 miliardë euro në konton e saj, për skuadrat e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, ku shuma që do të fitojnë, varet nga faza të cilën e prekin.
Maksimumi që një skuadër mund të fitojë nga ky sezon i Ligës së Kampionëve është 84 milionë euro, por në mënyrë që një skuadër të arkëtojë këtë shumë, duhet të fitojë çdo ndeshje të fazës së grupeve dhe po ashtu të triumfojë në finale.
Skuadrat që kanë rekord të 100% të fitoreve në fazën e grupeve të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve janë Liverpulli, Ajaksi dhe Bajern Munihu. Shuma e këtij sezoni do të ndahet në disa pjese, ku të 32 skuadrat pjesëmarrëse do të arkëtojnë afër 14 milionë euro, pavarësisht paraqitjeve të tyre ose arritjes në këtë sezon të Ligës së Kampionëve.
Kështu, 14 milionë euro janë të rezervuara për arritjen e fazës së grupeve, ndërsa secila skuadër përfiton nga 2.7 milionë euro për çdo fitore në fazën e grupeve. 929,000 euro do të jipen për barazim në fazën e grupeve, ndërsa 9.6 milionë euro për arritje në fazën eliminatore.
Çdo skuadër merr 10.1 milionë euro për arritje në çerekfinale, ndërsa 12.5 milionë euro për arritje në gjysmëfinale. Janë rezervuar 15.5 milionë euro për secilin finalist, ndërsa 4.5 milionë euro shtesë për triumf në finale të Ligës së Kampionëve.