Ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me rastin e 25 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë. Ajo u prit nga homologu i saj, Bledi Çuçi. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë thotë se sot 25 vite më pas Shqipëria ka krijuar besim të fortë dhe respekt reciprok te fqinjët, ndryshe nga 25 vite më parë kur eksportonte pasiguri.
“Ndryshe nga çerek shekulli më parë kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997 sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit. E falënderova për mbështetjen maksimale që Italia ka dhënë vazhdimisht për forcat tona të Policisë, si dhe vlerësova bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacioneve policore prej të cilave kemi pasur rezultate impresionuese. 30 operacione të përbashkëta përgjatë vitit 2021 dhe 9 operacione vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë dukshëm një punë shumë domethënëse për një të ardhme të sigurt të qytetarët tanë”, shprehet ministri Çuçi.
Më tej ai e falënderoi homologen italiane për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League, teksa theksoi gjithashtu se ky event dëshmoi edhe njëherë se ne dimë të funksionojmë si një trup i vetëm përballë sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë.
Në vijim ministri Çuçi ndau me ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, projektin për transformimin e Akademisë së Sigurisë.
“E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë tonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, tha ministri Çuçi.
Sipas tij të dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale dhe bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet.
Vetë ministrja italiane, Luciana Lamorgese vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e rendit, sigurisë dhe çështjeve të brendshme. Në mënyrë të veçantë ajo tha se Shqipëria nuk është më një problem për Italinë prej vitesh përsa iu përket flukseve migratore.