Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit mëngjesin e sotëm një foto nga Piramida e Tiranës, ku do të zhvillohet Samiti i Procesit të Berlinit.
Ai shkruan për Piramidën e Tiranës, vendin ku do të mbahen punimet e samitit të sotëm, dhe thotë se sot aty do të ulen armiqtë e betuar të Enver Hoxhës.
Postimi i plotë:
Mirmëngjes dhe me tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë.
Ajo që nuk përmend kryeministri është që dita e sotme, 16 tetori, është dita e lindjes së Enver Hoxhës. Liderët e BE po mblidhen në Tiranë jo vetëm në godinën që u ndërtua për nder të tij, por edhe në ditëlindjen e liderit të hekurt komunist.
Enver Hoxha, djalë i një familjeje modeste gjirokastrite ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës.
Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir, i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen.
Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë. Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.
Në tetor 1930, Enver Hoxhës iu dha një bursë për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë.
Në korrik të vitit 1936, Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.
Ai ishte komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.
Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij. Pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.
j.l. / ABC24.AL