SHËNIM: Vjehrri e jep për prishje, dhëndri e proteston në SPAK. Komedia e rindërtimit dhe drama morale e belindëve të nesërm 

0
Gjigandi

 

Historia

Lista e godinave të dëmtuara nga tërmeti tragjik i fundvitit 2019 është e gjatë. Brenda kësaj liste ka me dhjetëra godina, shkalla e dëmtimit të të cilave është klasifikuar shumë e lartë me vendim të Institutit të Ndërtimit. Këto godina të rrezikshme për jetën e banorëve duhen shembur; shteti u siguron të dëmtuarve banesë të re.

Një prej këtyre rasteve është një godinë në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë. Shumica e banorëve jetojnë tashmë në shtëpitë e reja për viktimat e tërmetit. Bashkia, bazuar te vendimi i Institutit të Ndërtimit për godinën në fjalë, ka detyrimin ta prishë. Dhe ka shkuar ta prishë. Asgjë e veçantë nga rastet e tjerë deri këtu.

Por në këtë pikë fundore të procesit, është kujtuar të ndërhyjë Belindi, politikani riosh i PD-së së Saliut që ka ambicien e madhe të drejtojë qytetin.

RonaTyra

Belindët dhe ustai

Çfarë kërkon Belindi? Dhe pse tani, ku ishte më parë, në tre vite proces? Që të kuptojmë këtë, së pari, duhet bërë një dallim mes asaj që thotë se do dhe asaj që do vërtetë Belindi.

Ajo që thotë se do është të mbrojë interesat e banorëve. A vërtetë? E sigurt është qe jo vetem Belindi që është ende çirak i ri po edhe ustai i vjetër i belindëve, do kishin rrjepur fytin me ulërima sikur larg qoftë, të bënte vaki që shteti të mos kujdesej për këta banorë. Përfytyroni që dikush të vdiste nga ndojë tullë pas tërmetit siç edhe ka ndodhur në godinat e dëmtuara. Ustai dhe çirakët do t’i përdornin e shpërdornin politikisht mbarë e prapë, siç e kanë zakon, të vdekur e të gjallë.

Pa do të shkonin edhe te godina në fjalë e do tregonin para kamerave të lara e të çara dhe do ta bënin Erjon Veliajn, Ramën, Bashkinë, Qeverinë etj etj copa që i paskësh lënë në atë derexhe banorët.

Ja që nuk i ka lënë. Qeverisja ka kusuret e veta, po strehimi pas tërmetit ka qenë nga punët më të dukshme. Nuk është kështu për ustain e vjetër dhe rioshët skenikë. Tani që kujdesi është, kërkojnë hesap pse kujdesesh.

Afërmendsh Belindi, nuk ka hallin e banorëve. E vërteta është që këto muaj Belindit i duhen të gjitha qimet e rrugëve të Tiranës që ti bëjë trarë  për t’i përplasur në derën e Bashkisë. Por këtë herë ka një detaj “të vogël”…

Belindi dhe vjehrri

Këtë “detaj” ndoshta jo të gjithë e dinë. Bashkia e Tiranës në një sqarim për rastin shkruan se “nuk dihet pse Belind Këlliçi ka kallëzuar sot në SPAK vetëm Bashkinë e Tiranës për këtë proces, dhe ka lënë jashtë padisë Institutin e Ndërtimit, edhe pse ky është institucioni që ka iniciuar zinxhirin e vendimeve që pasojnë prishjen e Pallatit Nr. 4 në rr. Myslym Keta”.

Bashkia nuk e thotë, ndoshta për etikë komunikimi por Belindi meret me samarin sepse nën samar është Instituti i Ndërtimit. Dhe ky Institut drejtohet nga vjerri i Belindit, Artan Shkreli. Këtu situata bëhet komedi. Shkresa për prishje është e Institutit. Me një fjalë, vjehrri e jep per prishje, dhëndri e proteston në SPAK.

Belindët e nesërm

Komedia kthehet në dramë morale nëse dalim nga banaliteti i rastit dhe meremi pak me të rinjtë si Belindi që i janë futur politikës së fundmi duke ecur pas ustait.

Distanca morale nga e shkuara kriminale e partive të tyre ishte minimumi që duhet të bënin për të merituar pak besim. Këta të rinj që duhet të ishin shpresa, por e para gjë që kanë mësuar është të mos kuqen e të mos verdhen për krimet e grupit ku militojnë, duke ta bërë të qartë kristal që nuk do kuqen e nuk do verdhen as kur të kryejnë vetë krimet e tyre në të ardhmen.

Nuk të vjen keq për ta; ata e kanë zgjedhur me vetëdije të rreshtohen me vijimin e së keqes; të vjen keq për mjerimin moral që ata mbjellin tek moshatarët e tyre, të cilëve u duhet bash i kundërti shembull; të vjen keq për pamundësinë e qytetarit që bëhet viktimë e këtij teatri kriminal politik që po na mban prej 30 vitesh në darën e hipokrizisë dhe mashtrimit.

Dita

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu