Një zyrtar i ministrisë franceze të mbrojtjes tha se NATO-ja nuk duhet të mbyllë sytë lidhur me sjelljen e fundit të Turqisë ndaj aleatëve të saj, duke akuzuar marinën turke për provokimin e një anijeje franceze që ishte në një mision të NATO-s.
Një zyrtar i lartë turk mohoi akuzën, duke thënë se “asgjë e tillë” nuk kishte ndodhur. Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të zhvillojnë një takim virtual këtë javë në klimën e tensioneve në rritje midis Parisit dhe Ankarasë. Dy aleatët kanë shkëmbyer kritika për krizën në Libi, duke akuzuar njëri-tjetrin se mbështesin palët kundërshtare në konfliktin e atjeshëm.
Duke folur përpara takimit, zyrtari francez i mbrojtjes tha se ishte koha që NATO-ja të zhvillojë një diskutim të sinqertë për Turqinë dhe sjelljen e saj – jo vetëm në Libi, por edhe për çështje të tjera si blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes S-400 dhe bllokimi i planeve të mbrojtjes së NATO-s për Balltikun dhe Poloninë.
“Ne kemi njohur momente të ndërlikuara në aleancë, por nuk mund të sillemi si struci dhe nuk mund të pretendojmë se në NATO nuk ka asnjë problem me Turqinë. Ne duhet ta shohim atë, ta themi dhe ta trajtojmë”, tha ai. Një zyrtar i lartë turk e hodhi poshtë akuzën, duke thënë se forcat franceze kishin kërkuar të kontrollonin një anije turke në ujërat ndërkombëtare “dhe kjo nuk u ishte lejuar”.
Ai tha se Turqia nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim provokues apo agresiv për të parandaluar këtë. Megjithatë, tha zyrtari, “ne presim që aleatët të tregojnë të njëjtin mirëkuptim dhe ndjeshmëri ndaj marinës turke dhe pranisë së saj.”
Burimi: top-channel.tv