Këto janë momentet kur efektivët e policisë së Tiranës kanë nxjerrë disa nga provat për vjedhjen e një banke të nivelit të dytë në kryeqytet nëpërmjet tuneleve të nëndheshme.
Në videon e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha shihen disa nga efektivët që futen në tunelin e gërmuar duke nxjerrë prej aty provat e vjedhjes që u parandalua në kohë.
Autorët kishin një plan të denjë për një skenë filmi aksion, që falë sinjalizimeve në kohë në polici, nuk shkoi deri në fund.
“
Policia kishte marrë informacione se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, dhe ndërhynë menjëherë duke ndaluar vjedhjen.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia më herët për rastin.