Trupat izraelite rrethojnë qytetin e Gazës duke shkëputur pjesën veriore të territorit të rrethuar

0
Gjigandi

Trupat izraelite rrethuan të hënën qytetin e Gazës duke prerë rrugët për në pjesën veriore të territorit të rrethuar, ndërsa komunikimet e bllokuara për disa orë në të gjithë Gazën gjatë natës po rivendosen gradualisht. Mediat izraelite raportojnë se trupat pritet të hyjnë në qytet të hënën ose të martën, dhe militantët që janë përgatitur prej vitesh pritet të luftojnë rrugë më rrugë, duke përdorur një rrjet të gjerë tunelesh. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, numri i viktimave ka të ngjarë të rritet nga të dyja palët në luftën njëmujore, e cila tashmë ka lënë pas vetes më shumë se 9,700 palestinezë të vrarë.

Rreth 1.5 milionë palestinezë, ose rreth 70 për qind e popullsisë, janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës me një sulm të përgjakshëm të Hamasit në Izrael, që la pas vetes më shumë se 1,400 të vrarë, kryesisht civilë. Ushqimi, ilaçet, karburantet dhe uji po mbarojnë, dhe shkollat e shndërruara në strehime të drejtuara nga Kombet e Bashkuara, janë të stërmbushura, me shumë njerëz që flenë në rrugë nën qiellin e hapur.

Izraeli deri më tani ka hedhur poshtë sugjerimet e Shteteve të Bashkuara për një pauzë në luftimet për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare dhe lirimin e disa prej rreth 240 pengjeve të kapur nga Hamasi në sulmin e tij të 7 tetorit. Izraeli ka hedhur poshtë gjithashtu thirrjet për një armëpushim më të gjerë nga vendet arabe gjithnjë e më të alarmuara, përfshirë Jordaninë dhe Egjiptin, që kanë bërë paqe me të dekada më parë.

Një aeroplan transportues ushtarak jordanez dërgoi ndihma mjekësore në një spital fushor në veri të Gazës, tha mbreti Abdullahu i II-të herët të hënën. Duket se kjo është hera e parë e hedhjes së ndihmave nga ajri, duke rritur mundësinë e një rruge tjetër për dërgimin e ndihmave përveç atyre që hyjnë nga vendkalimi kufitar Rafah ndërmjet Egjiptit dhe Gazës.

Situata mbetet e rëndë në veri. Rreth 800,000 njerëz kanë ndjekur urdhrat e ushtrisë izraelite për të ikur në Gazën jugore, ndonëse Izraeli vazhdoi sulmet ajrore në zonë. Sulmet në Gazën qendrore dhe jugore, zona të supozuara të sigurisë, lanë pas vetes 53 të vrarë të dielën.

RonaTyra

Qindra mijëra mbeten në qytetin e Gazës dhe pjesë të tjera të veriut. Rreth 2,000 veta, u evakuuan nëpër autostradën kryesore veri-jug të Gazës të dielën, gjatë një hapësire disa orëshe gjatë së cilës ushtria i kishte inkurajuar ata të iknin. Shumica e popullsisë së Gazës janë pasardhës të refugjatëve palestinezë që u larguan ose u dëbuan nga Izraeli gjatë luftës së vitit 1948 rreth themelimit të tij. Palestinezët i referohen eksodit të tyre si Nakba, ose katastrofa, dhe shumë kanë frikë nga një përsëritje, pasi qindra mijëra janë zhvendosur nga lufta e fundit.

Ushtria izraelite tha të dielën vonë se kishte shkëputur Gazën veriore nga jugu, duke e quajtur atë një “periudhë të rëndësishme” të luftës. Ushtria tha se një korridor me një drejtim për banorët për të ikur në jug, do të mbetet i hapur.

Ushtria thotë se 30 trupa janë vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore më shumë se një javë më parë. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit, edhe pse shumica janë rrëzuar ose bien në zona të hapura. Dhjetëra mijëra izraelitë janë evakuuar nga komunitetet pranë kufijve të paqëndrueshëm me Gazën dhe Libanin.

Komunikimet në Gaza u ndërprenë të dielën vonë për herë të tretë gjatë luftës, sipas grupit për mbrojtjen e qasjes në internet, NetBlocks.org dhe kompanisë palestineze të telekomit, Paltel. Punonjësit e ndihmës thonë se ndërprerjet e bëjnë edhe më të vështirë për civilët të kërkojnë siguri apo edhe të thërrasin ambulancat. Ndërprerja e parë e komunikimeve në Gaza zgjati 36 orë, që përkonte me sulmin tokësor, dhe e dyta për disa orë. Kompania Paltel tha se shërbimi po rikthehej gradualisht të hënën.

Ushqimi, uji dhe karburanti i nevojshëm për gjeneratorët në spitale po mbarojnë. Termocentrali i vetëm i Gazës u detyrua të fikej menjëherë pasi shpërtheu lufta dhe Izraeli nuk ka lejuar të hyjë karburant, duke thënë se Hamasi do ta vidhte atë për qëllime ushtarake.

Gaza veriore po përballet me një mungesë të madhe uji, pasi nuk ka karburant për ta pompuar nga puset komunale dhe Izraeli mbylli linjën kryesore të rajonit. Zyra e OKB-së për çështjet humanitare tha se shtatë objekte të ujësjellësit në gjithë Gazën u goditën gjatë dy ditëve të fundit dhe pësuan “dëmtime të rënda”, duke rritur rrezikun e përmbytjeve nga ujërat e zeza. Izraeli ka restauruar dy tubacione uji në Gazën qendrore dhe jugore, tha OKB-ja.

Mbi 450 kamionë që transportonin ushqime, ujë, ilaçe dhe ndihma të tjera janë lejuar të hyjnë në Gaza nga Egjipti që nga 21 tetori, por punonjësit e ndihmës thonë se kjo është e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat në rritje në territorin në të cilin jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë.

Lufta ka nxitur tensione më të gjera, ndërsa ushtria izraelite dhe grupi militant Hezbollah në Liban, që shkëmbejnë zjarr përgjatë kufirit. Katër civilë u vranë nga një sulm ajror izraelit në Libanin jugor të dielën vonë, duke përfshirë tre fëmijë, raportoi një zyrtar lokal i mbrojtjes civile dhe media shtetërore. Ushtria izraelite tha se kishte sulmuar objektivat e Hezbollahut në përgjigje të zjarrit antitank, që vrau një civil izraelit. Si kundërpërgjigje, Hezbollahu tha se lëshoi raketa Grad nga Libani jugor në drejtim të Izraelit.

 

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu