Këtë të mërkurë, në Roterdam të Holandës zhvillohet gjyqi ndaj 52-vjeçarit nga Saranda, Thanas Bako. Bako u arrestua në 31 maj pas një operacioni të policisë greke dhe Europol në lagjen “Glifadha” të Athinës. Ndaj Bakos ishte lëshuar një urdhër arresti nga autoritetet holandeze për pastrim të parave të ardhura nga trafiku i drogës.
“Bako njihej për pastrimin e parave të pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë. Ai u arrestua më 31 maj në Athinë në Greqi”.
Ai u ekstradua në gusht nga Greqia në Holandë. Sipas Prokurorisë Publike në Holandë, Thanas Bako, është figura qendrore në një rrjet bankierësh të fshehtë. Dyshimi është se nga Greqia ai kontrollonte një rrjet korrierësh që lëvizte gati 500 milionë euro cash për kriminelët në Holandë.
“Ai dyshohet se ka udhëhequr një organizatë kriminale që pastron para cash nga krimet në shkallë të gjerë”, tha Prokuroria Publike.
Shërbimet hetimore besojnë se Thanas Bako njihet për përfshirjen në rrjetin e bankierëve kriminalë. Kjo ide mbështetet nga mesazhet e shumta të bisedave të deshifruara që morën hetuesit nga Task Force Bankare Underground. Këto janë mesazhe të dërguara nga Byroja Federale Amerikane e Hetimit (FBI) që u janë dhënë autoriteteve holandeze.
p.c. / ABC24.AL