Donald Trump ka reaguar për ndarjen e çmimeve në Akademinë Amerikane të Filmit, Oscars.
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, gjatë një fjalimi që ka mbajtur në Kolorado para përkrahësve të tij, ka zgjedhur të japë mendimin e tij për çmimet që i janë ndarë filmave në ceremoninë e vitit 2020 të Oscars.
Trump ka kritikuar përzgjedhjen për çmimin kryesor, që i është ndarë filmit ‘Parasite’ nga Korea e Jugut, të regjisorit Bong Joon-ho, përcjell Gazeta ABC24 AL.
“Meqë ra fjala, sa të këqij ishin çmimet e Akademisë këtë vit? A e keni parë?”, pyet Trump masën e mbledhur dhe u prit me mospajtim.
“Dhe fituesi është… një film nga Korea e Jugut. Çfarë dreqin ishte ajo. Ne kemi mjaft probleme me Korenë e Jugut me tregti. E mbi të gjitha, ata i japin çmimin për filmin më të mirë të vitit atyre”, vazhdon Trump duke e pranuar se nuk e ka parë filmin.
Studio filmike ‘NEON’ që e ka bërë filmin, ka reaguar duke thënë: “E kuptueshme. Ai nuk di të lexojë”.
Trump gjithashtu ka thënë disa fjalë edhe për aktorin Brad Pitt, i cili në fjalimin e tij të fitores ka folur për gjykimin e Presidentit për disa akuza që janë drejtuar ndaj tij.
Ai ia kthen duke e quajtur me ironi ‘djalosh i mençur’ e duke pranuar se asnjëherë nuk ka qenë fans i tij.
‘Parasite’ është filmi i parë në gjuhë të huaj që ka arritur të shpallet ‘Filmi më i mirë i vitit’ në Oscars.