Ushqimi vegan duhet të shërbehet në shkolla, burgje dhe spitale për të promovuar popullaritetin e tij me publikun e gjerë, argumenton një raport i ri. Sjellja e hamburgerëve, salsiçeve dhe filetove me bazë bimore në kuzhinat e institucioneve të tilla publike mund të shkaktojë një zhvendosje nga mishi i kafshëve, thotë eksperti. Ulja e marrjes së mishit të kuq mund të përmirësojë shëndetin tonë, por edhe atë të planetit, pasi blegtoria në shkallë shkatërron habitatet dhe nxjerr dioksid karboni dhe metan.
Raporti i ri thotë se ka ‘norma shoqërore’ rreth konsumit të mishit që duhet të ndryshohen, megjithëse shija, struktura dhe ushqimi i ‘mishit të rremë’ ende duhet të përmirësohen. Raporti i ri është hartuar nga ekspertë në konsulencën e qëndrueshmërisë “Systemiq” në partneritet me “Universitetin e Exeter”, të cilët bëjnë një sërë rekomandimesh për përshpejtimin e zeros neto. Ata thonë në raport se:
“Kalimi te proteinat alternative, duke ulur kështu kërkesën për prodhimin e mishit, mund të zvogëlojë presionin për ndryshimin e përdorimit të tokës dhe emetimet nga blegtoria. Favorizimi i proteinave alternative në politikat e prokurimit publik në nivel global mund të ndihmojë për të sjellë përpara pikat kryesore në miratimin e tyre.
Përdorimi i institucioneve publike (p.sh., zyrat qeveritare, spitalet, burgjet, shkollat) për të blerë proteina alternative në sasi të mëdha do të rriste me shpejtësi kërkesën dhe do të ndihmonte prodhuesit të arrinin ekonomi të shkallës, duke ulur kështu kostot. Duke futur një numër të madh të konsumatorëve në këto produkte, prokurimi publik mund të rrisë aksesin dhe të ndihmojë në zhvendosjen e normave sociale rreth konsumit të mishit”.
Tashmë, proteinat alternative parashikohen të arrijnë rreth 10 për qind të pjesës së tregut deri në vitin 2035, por kjo mund të shtyhet në 20 për qind me një ndryshim të tillë politikash. Megjithatë, autorët vënë në dukje se mishi me bazë bimore ende duhet të ndryshojë për të tërhequr më shumë klientë. Domethënë, duhet të arrijë shije dhe strukturë që i ngjajnë më shumë proteinave shtazore, e cila do të kërkojë ‘risi teknologjike’ të rëndësishme.
Sipas ekspertëve, mishi me bazë bimore do të duhet gjithashtu të kapërcejë shqetësimet shëndetësore dhe dietike, pasi disa kanë frikë se nuk është aq ushqyes sa mishi i vërtetë. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se disa produkte alternative të mishit përmbajnë sasi të tepërt të kripës. Pasi të kapërcehen këto probleme, proteinat me bazë bimore duhet të jenë gjithashtu të lehta për t’u blerë në dyqane, në internet dhe në restorante.