Zupa është një ëmbëlsirë e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për t’i shijuar në çdo kohë. E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.
Përgatitja e zupave në shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht
2 të verdha veze
9-10 lugë sheqer
7 lugë niseshte
1 lugë kafeje vanilje
1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara
Një grusht arra të thërrmuara
Kanellë
Përgatitja
Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërrmuara. Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të verdhat e rrahura të vezëve sheqerin dhe niseshtenë. Gjithë masën e përziejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze. Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përziejmë për pak sekonda. E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave. I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërrmuara. Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërrmuara por edhe arra nëse preferoni. Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta.