Naftë ka, por çmimi i saj nuk do të ulet me mbarimin e luftës. Nervozizmi i krijuar në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një rritje të çmimit të naftës globalisht.
Aktualisht, në bursa nafta tregtohet me 115 dollarë fuçia, por luhatja e vazhdueshme nuk pritet të zbusë çmimin e lartë të hidrokarbureve që reflektohet edhe në vendin tonë. Pavarësisht panikut dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, ne nuk do të vuajmë mungesën e naftës duke e siguruar atë nga Arabia Saudite.
“Në tregjet ndërkombëtare nuk ka pasur mungesë nafte, pra pak a shumë ka qarkulluar në sasi të njëjtë. Në fakt, nafta ka gjetur kanalet e veta të shpërndarjes dhe ka mbërritur në destinacione si para disa muajve”, thotë për A2 CNN Dael Dervishi, ekspert për ekonominë në Shqipëri.
Shumë vende evropiane, së fundmi dhe Gjermania, kanë hequr apo ulur disa nga taksat e naftës për të mos rënduar barrën e shpenzimeve të qytetarëve. Ndërkohë në vendin tonë bordi i transparencës duket se kontrollon vetëm rritjen. Për ekspertët një zgjidhje afatgjatë në kushtet e krizës do të ishte krijimi i një enti rregullator për hidrokarburet.
“Siç e kanë shumë vende të tjera, si Maqedonia e Veriut për shembull. Që të monitorojë luhatjet e çmimeve. Dhe jo të jetë qeveria që është pjesë aktive, është palë në treg, sepse qeveria është blerëse e naftës”, thotë Dervishi.
Situata me çmimin e karburanteve mbetet e paqartë, për shkak të dinamikave në tregun ndërkombëtar dhe efekteve të luftës në Ukrainë. Ekspertët vlerësojnë se gjatë vjeshtës do të ndihet edhe impakti më i madh i një rritje të mundshme të çmimit në buxhetet familjare. /A2 CNN/