Shtëpia e Bardhë po përpiqet të largojë vëmendjen nga numri i rasteve me koronavirus në SHBA. “Jemi në rrugën e duhur,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany të hënën në konferencën për shtyp. Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë 20% të numrit total të rasteve në shkallë globale. Afro 2.3 milionë vetë kanë rezultuar positivë në Shtetet e Bashkuara si dhe mbi 120 mijë të vdekur deri tani.
“Jemi të kënaqur që shohim rënie” të prirjes së vdekshmërisë, tha zonja McEnany. Por raportimet nga 31 shtete amerikane tregojnë se ritmet e riprodhimit po rriten duke treguar se një person ia kalon viusin më tepër se një personi tjetër që tregon përhapje të sëmundjes.
Zëdhënësja McEnany u pyet disa herë nga gazetarët të hënën lidhur me termin që kishte përdorur presidenti gjatë tubimit në Oklahoma, ku e kishte quajtur virusin “Kung Flu” = “Gripi ‘Kung’.” “Termi ‘Kung Flu’ është tepër ofendues për shumë amerikanë me prejardhje aziatike,” tha korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë për rrjetin CBS, Weijia Jiang, duke i drjetuar pyetjen zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësja nuk u shpreh nëse Shtëpia e Bardhë e konsideron si term racist shprehjen e përdorur. “Media po përpiqet të luajë lojra,” me terminologjinë e virusit, i cili u diktua për herë të pare në Wuhan të Kinës, u përgjigj zëdhënësja, e cila shtoi se “presidenti nuk ndjen kurrë keqardhje që e ka kthyer përsëri barrën e fajit mbi Kinën”.
Në mars, kur këshilltarja e presidentit, Kellyanne Conway dëgjoi nga gazetarja Jiang se një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte përdorur në praninë e saj termin “Kung Flu” në kushte anonimiteti, këshilltarja Conway ishte shprehur se ky ishte term “tepër ofendues” dhe kishte këmbëngulur të mësonte identitetin e zyrtarit që e kishte përdorur. Presidenti është i përqëndruar në rihapjen e ekonomisë së goditur rendë nga pandemia, ndërkohë që vazhdon të fajësojë Kinën që nuk e parandaloi përhapjen e virusit.
Fushata e Presidentit Trump u ndesh me kritika pasi organizoi tubimin e së shtunës në një sallë të mbyllur, aktiviteti më i madh i zhvilluar në ambjent të mbyllur që kur filloi izolimi social. Tubimi tërhoqi më pak se 50% të numrit që ishte parashikuar. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, vetëm 6200 pjesëmarrës u mblodhën krahasuar me 19 mijë e 199 vende që kishte salla.
Fushata e presidentit tha se kishte marrë më shumë se 1 milion kërkesa për bileta. Presidenti shkon të martën në Arizona ku numri i rasteve me koronavirus është dyfishuar në dy javët e fundit. Presidenti pritet të vizitojë murin që po ngrihet në zonën kufitare të qytezës Yuma, një ndër vatrat aktive me koronavirus. Më pas ai do të mbajë fjalim në një kishë në Finiks para më shumë se 3000 vetëve, pjesa më e madhe pjesë e grupit “Studetët për Trumpin”. Komuna e Yumas dhe qyteti i Finiksit kanë urdhëresa për vënien e maskave në publik./VOA
Burimi: top-channel.tv