Zhdukja e një pajisje të Klinikës së Radiologjisë në Klinikën e Neonatologjisë ka alarmuar Shërbimin Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Pajisja që shërbente për dixhitalizimin e rëntgenit analog që bën të mundur leximin e radiografisë në CD është zhdukur tash e disa ditë.
E vendndodhja e saj ende nuk po dihet dhe ShSKUK është duke punuar për të identifikuar se ku gjendet ajo.
Të paktën kështu kanë konfirmuar nga ShSKUK-ja.
Pajisja që po përdorej në klinikën ku trajtohen foshnjat e porsalindura në QKUK kishte kosto mijëra euro.
E zhdukjen e saj e ka lajmëruar u.d. i shefit të sektorit të pajisjeve biomjekësore.
“
Lidhur me digjitalizuesit të imazheve radiografike, ShSKUK-së është njoftuar përmes ud, shefit të sektorit të pajisjeve biomjekësore, i cili respektivisht është edhe menaxher i kontratës, me të cilën gjatë vizitave rutinore, ka konstatuar që pajisja nuk gjendet në Klinikën e Neonatologjisë. Pas njoftimit, sektorët e njësive përkatëse janë në fazën e identifikimit të gjendjes dhe nëse vërehet se ka elemente të shkeljeve eventuale do të veprohet konform legjislacionit në fuqi”,
thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Media ka provuar të marrë detaje lidhur me datën se kur është zhdukur pajisja dhe periudhën sa kjo pajisje ka qëndruara në Klinikën e Neonatologjisë, por nga ShSKUK nuk kanë dhënë detaje për këto çështje.
Kjo është pajisja e dytë brenda pak muajve që është zhdukur në QKUK. Në korrik të vitit të kaluar ishte zhdukur një USB e cila poashtu ishte pjesë integrale e një rëntgeni në Klinikën e Radiologjisë me kosto prej rreth 6 mijë euro. Rasti ishte raportuar edhe në Policinë e Kosovës, por ende nuk dihet se si ka ndodhur rasti.