Shqiptarët dhurojnë fonde për civilët e Ukrainës përmes Kryqit të Kuq Shqiptar

0
Shqiptarët dhurojnë fonde për civilët e Ukrainës përmes Kryqit të Kuq Shqiptar
Gjigandi

Në Shqipëri, Kryqi i Kuq ka nisur një fushatë 10-ditore për mbledhje fondesh në ndihmë të Ukrainës. Grupe të rinjsh vullnetarë kanë dalë në sheshe e rrugë kryesore në të gjithë vendin.

Qindra qytetarë të Tiranës iu bashkuan sot thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për të mbledhur fonde dhe ndihma për Kryqin e Kuq të Ukrainës.

“Jam nënë dhe një qytetare, që nuk do të doja kurrë luftë. Na duhet paqe dhe dashuri, ndërsa Putin duhet të tërhiqet. Të ndihmojë e gjithë bota për këtë gjë dhe të zgjidhet ky konflikt me paqe, sepse po vriten fëmijë, njerëz të pafajshëm”

– thotë Rina Seferi.

RonaTyra

Një nga pikat e takimit të vullnetarëve është në sheshin Shkënderbej pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti.

“Solidarizohemi me trimërinë e popullit ukrainas. Është një luftë e pabarabartë. Ne po mundohemi moralisht t’i ndihmojmë më shumë se sa financiarisht, sepse jemi vand i varfër. Për pjesën zyrtare qeveria jonë ka reaguar shumë mirë dhe për këtë ka mbështetjen e qytetarëve” –

thotë Gëzim Myrtaj, banor i Tiranës.

Duke dhuruar nga 1 euro dhe shuma të tjera, ata shprehin dhimbjen për vuajtjet e civilëve ukrainas dhe zemërimin për sulmet ruse ndaj Ukrainës.

“Është një dhimbje shumë e madhe kur sheh se ka fëmijë, nëna e fëmijë, që po përjetojnë këto tmerre dhe po i përjetojmë edhe ne vet, ndaj ne bashkohemi me dhimbjen e tyre”

– thotë mësuesja Brunilda Bozhano.

Fushata e Kryqit e Kryqit të Kuq Shqiptar vazhdon 10 ditë në fazën e parë, deri në 10 mars, ku të rinjtë e gjimnazeve janë në cdo shesh e rrugë kryesore me logot e KKSH.

“Nuk dhurova ndonjë shumë të madhe, por atyre ukrainasve ua bëftë Zoti lehtë. Për atë që vuan duhet të mendojë gjithkush”

– thotë Xhafer Osmani, banor i Tropojës.

Një pjesë e qytetarëve premtojnë se pas një dhurimi spontan sot, do të kthehen përsëri me të afërm të tyre pranë pikave të Kryqit të Kuq për të dhuruar më shumë.

“Ndalova thjesht sepse pashë mundësinë këtu që të kontribuonim sadopak për civilët e pambrojtur në Ukrainë. Kjo që bëjmë ne është shumë modeste në raport me atë që po ndodh atje”

– thotë Klevis Haxhiu, banor i Tiranës.

Dhuruesit janë nga të gjithë moshat dhe profesionet dhe ndalojnë këmbët sapo shohin shenjat e Kryqit të Kuq dhe mesazhin në mbështetje të Ukrainës.

“Lufta në Ukrainë na ka shqetësuar të gjithëve, për Zotin. Dhëntë Zoti ndalet sa më shpejt ajo luftë!”

– thotë pensionistja Bedrie Shehu

Vullnetarët e grupit tek monumenti i Skënderbeut ishin nga shkollat “Arben Broci” dhe “Besnik Sykja” por aty mësuam se të gjithë shkollat e mesme të gjithë Shqipërisë i janë bashkuar 39 degëve të Kryqit të Kuq Shqiptar për të lehtësuar mbledhjen e fondeve për Ukrainën.

“Populli ynë është vërtet bujar dhe këtë cilësi e ka treguar edhe tani. Shumica e qytetarëve kanë dhuruar shuma të konsiderueshme, dhe shpesh edhe përtej mundësive të tyre” –

thotë Steisi Trunkshi, nxënëse e shkollës “Arben Broci”. Ndërsa Viola, një tjetër vullnetare e Kryqit të Kuq nga e njëjta shkollë, thotë se qytetarët dhuruan sot me shumë bujari dhe ajo ishte shumë mirënjohëse për angazhimin e tyre.

Krahas ndihmave nga vullnetarët në sheshe, numrat bankarë të Kryqit të Kuq janë po ashtu pjesë kryesore e fushatës për mbledhje fondesh në mbështetje të Kryqit të Kuq Ukrainas për t’i ardhur në ndihmë popullsisë civile të prekur nga sulmi rus./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu