I dërguari i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha është shprehur se Shqipëria e mbështet pa asnjë kusht Ukrainën, pas agresionit rus të natës së 24 shkurtit.
“I bëjmë thirrje Rusisë të ndalojë dhe të reflektojë menjëherë. Misioni i tyre si një vend i madh në botë, është ta ruajnë paqen dhe jo ta prishin atë”.
Me këto fjalë, Hoxha theksoi se është e papranueshme, që Rusia të sulmojë në të tillë mënyrë vendet fqinje dhe të kërkojë pushtimin e tyre.
“Çdo zhvillim i shpalosur në 48 orët e fundit konfirmon, për ne dhe për mbarë botën, se shqetësimet ruse nuk kanë të bëjnë fare me sigurinë e saj; se ankthet e saj nuk janë të lidhura me zgjerimin e NATO-s dhe se kjo çështje nuk është një konfrontim midis Rusisë dhe Perëndimit
“, tha ai.
Sipas tij, kjo është një përballje mes Rusisë dhe Ligjit Ndërkombëtar, Kartës së OKB-së, të cilën ajo qëllimisht ka zgjedhur ta shpërfillë; një përballje mes vizionit të tij hegjemonist dhe një rendi botëror të bazuar në rregulla.
Në fjalën e tij, ai theksoi se sot ukrainasit po përballen me një sulm tjetër, vetëm sepse guxojnë të ekzistojnë, sepse kanë zgjedhur të jenë të pavarur, sepse kanë zgjedhur demokracinë.
“Kjo është një orë e errët jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, pasi ne dëshmojmë me drithërimë përparimin e një akti të pastër agresioni të planifikuar me kujdes dhe të ekzekutuar me gjakftohtës
i”, tha ai.
Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurisë, Hoxha theksoi se po përsërisim të njëjtën thirrje për Rusinë që të ndalojë, të reflektojë, të ndryshojë vendimet e saj të paligjshme për t’u tërhequr nga kjo çmenduri e pakuptimtë dhe ta ndalojë sulmin. Ai tha se janë vendosur disa mekanizma dhe janë bërë propozime të ndryshme, duke përfshirë edhe presidentin Zelensky, thirrjet e të cilit mbeten pa përgjigje.
“Diplomacia është si shpresa: ajo vdes e fundit. Por që të funksionojë, duhet të përdoret dhe jo të shpërfillet, siç e quajti këtu edhe Sekretari i Përgjithshëm. Ne u bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mblidhen në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Rusia është paralajmëruar vazhdimisht se do të jetë vetëm në këtë marrëzi; që do të jetë përgjegjëse për jetët e humbura të të pafajshëmve, përfshirë rusët, edhe për shkatërrimin e shkaktuar në zemër të Evropës në shekullin 21”,
tha Hoxha.
Sipas tij, nëse ata zgjedhin të vazhdojnë të zbatojnë planet e tyre, siç tregon gjithçka, Rusia do të mbajë jo vetëm pasojat e luftës, por edhe fajin dhe turpin historik të pushtimit të një vendi fqinj.