Shqipëri, vendoret e pjesshme, përplasjet mes palëve

0
Shqipëri, vendoret e pjesshme, përplasjet mes palëve
Gjigandi

Në Shqipëri sot mbyllet fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të cilat do të mbahen të dielën për drejtimin e 6 bashkive të vendit, atë të Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes. Më shumë se sa një garë mes të majtës në pushtet dhe të djathtëve në opozitë, këto zgjedhje po shihen si një rivalitet mes Partisë demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha dhe asaj pjese të demokratëve që i janë bashkuar lëvizjes së ish kryeministrit Sali Berisha.

Zgjedhjet e së dielës u dekretuan nga presidenti Ilir Meta më 20 janar. Në pjesën më të madhe të të gjashtë bashkive ku do të votohet, kryetari mungon prej të paktën më shumë se 1 vit, në disa raste për shkak të problemeve me dekriminalizimin e diku tjetër për shkak të dorëheqjeve, apo si në rastin e Lushnjës, për shkak të arrestimit të kryebashkiakut Fatos Tushe.

Këtë vonesë zoti Meta e motivoi me kontestimin që ai i bëri zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pritjes së vendimit të gjykatës kushtetuese për këtë çështje.

Drejtuesit e rinj që do të dalin nga këto zgjedhje, do të kenë një kohë të kufizuar për të ushtruar detyrën, duke qenë se, pas pak më shumë se një viti, pritet të jenë votimet e radhës për pushtetin vendor. Nga ana tjetër, mungesa e një gare dhe për këshillat bashkiakë, të cilët janë funksionalë, i bën dhe më pak tërheqëse këto zgjedhje.

RonaTyra

Ato kanë marë më shumë nje peshë politike, jo aq si ballafaqim mes partive të kaheve të kundërta politike, se sa për shkak të rivalitetit brenda së djathtës, se nga anon peshorja e forcës mes kryetarit demokrat Lulzim Basha dhe lëvizjes së ndërmarrë nga ish kryeministri Sali Berisha. Pasi dështoi të marrë në me forcë selinë e partisë në janar, ai dhe përkrahësit e tij e shohin këtë garë si sfidën për të dëshmuar se kush ka më shumë mbështetje.

Në këtë përpjekje zoti Berisha ka në krah dhe LSI-në e cila, së bashku me demokristianët, praktikisht i huazuan siglën e tyre, në koalicionin Shtëpia e Lirisë, kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të cilin Komisioni Qendror i zgjedhjeve, nuk pranoi ta njohë si një entitet politik.

Që në fillim zoti Basha deklaroi se

“si ka mundësi që ky njeri, Sali Berisha, të shkojë nëpër këto takime, me kandidatë që i ka nxjerrë me logon e LSI-së, por që kanë kaq turp, saqë nuk e nxjerrin logon e LSI-së? Fakti është që janë kandidatë të LSI-së”.

Gjatë fushatës, kryetari demokrat ka evituar të merret drejtpërdrejt me zotin Berisha, duke i mëshuar faktit se ka vetëm një parti demokratike apo marrëdhënieve që PD gëzon me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në spote të ndryshme, PD ka rikujtuar se zoti Berisha është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara dhe se ai së bashku me presidentin Meta dhe kryeministrin Edi Rama përbëjnë trekëndëshin e së keqes.

Nga ana e tij, zoti Berisha nuk i ka kursyer sulmet ndaj zotit Basha dhe akuzat se ai është bashkëpunëtor me kryeministrin Rama.

“Vota për Lulzim Bravën është votë që ndihmon Edi Ramën. Vota për Lulzim Bravën është votë për fals opozitën. Ndaj dhe ju votoni për opozitën e vërtetë”,

deklaroi ai gjatë mitingut përmbyllës në Lushnje.

Në këtë mes, kryeministri ka zgjedhur të ironizojë të dyja palët:

“Politika i sjell përpara jush edhe Eriseldën (kandidate e PS, Lushnje) , edhe ata dy të tjerët që keni këtu. Njërin që e ka sjellë vrima e bravës dhe tjetri që është një copë e bishtit të varesë”.

Të majtët kanë kontrollin e të gjithë pushtetit vendor, pasi në 2019 opozita i bojkotoi zgjedhjet. Megjithatë vota e së dielës, ndonëse i favorizon për shkak të përçarjes të së djathtës, do të jetë në një farë mënyre dhe një tregues për qeverinë, veçanërisht në qytetet e mëdha ku votohet, Shkodër, të cilën socialistët nuk e kanë patur ndonjeherë, Durrës ku kanë drejtuar prej shumë vitesh apo dhe në Lushnje./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu