Shqipëri, rritja e çmimeve dhe ndikimi i tyre në kultivimin e misrit

0
Shqipëri, rritja e çmimeve dhe ndikimi i tyre në kultivimin e misrit
Gjigandi

Në Shqipëri, rritja e çmimit të naftës dhe imputeve të tjera bujqësore, ka vënë në mëdyshje fermerët që kultivojnë bimën e misrit, një kulturë kjo e rëndësishme për prodhimin e mishit, vezëve, qumështit dhe nënprodukteve të tyre. Këtë vit, qeveria ka suvencionuar naftën pa akcizë për fermerët, por ata thonë se kjo nuk arrin të mbulojë kostot në rritje për kultivimin e drithërave.

Është koha e mbjelljes së misrit, por një pjesë e fermerëve ende nuk kanë filluar të përgatisin tokat për mbjellje. Lufta në Ukrainë, e shoqëruar me krizën globale të tregjeve, papritur ka rritur çmimin e farës së misrit, plehrave kimike dhe naftës, duke shtuar në një masë të konsiderueshme edhe shpenzimet e fermerëve.

“Krahasuar me vitet e tjera, një kuintal ure është e barabartë me katër kuintal misër. Pra, lëre plugimin dhe shërbimet e shpenzimet e tjera, ai nuk e mbulon vedin”.

Fermeri Prekë Game është nga fshati Shkezë i Nënshkodrës. Ai ka në pronësi të familjes 13 dynym tokë, një pjesë të përfituar nga ligji për ndarjen e tokës bujqësore dhe një pjesë të blerë. Çdo vit ai mbjell me misër 7 dynym, një pjesë për fermën e tij të lopëve dhe një pjesë për tregtim. Por këtë vit, ai thotë se për shkak të rritjes se çmimeve është në mëdyshje për të mbjellë apo jo misër, pasi kostoja e prodhimit është shumë e lartë.

“Me këto çmime, ne jemi në dilemë, a me mbjell a mos me mbjell? Po nuk mbollëm do të shiten edhe bagëtia. Nëse shesim bagëtinë, do të duhet një periudhë prej 7-8 vjet për të arritur në nivelin e sotëm. Unë jam 60 vjeç dhe nuk kam perspektivë për riorganizim. Të rinjtë janë të demoralizuar dhe nuk e shikojnë bujqësinë si shpresë, si të ardhme”.

RonaTyra

Qeveria ka vendosur këtë vit të subvencionojë naftën pa akcizë për fermerët, por edhe kjo, sipas fermerit Game, nuk arrin të mbulojë kostot në rritje të kultivimit të misrit, për shkak të rritjes së çmimeve.

Për drejtuesin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, ish Institutin e Misrit në Shkodër, profesor Konstandin Hajkoja, në kushtet e krizës aktuale, për shkak të luftës në Ukrainë, është e rëndësishme që të ruhet niveli i prodhimit vjetor të misrit, pasi kjo lidhet me furnizimin e popullatës me ushqime, si mishin, vezët, qumështin dhe nënproduktet e tyre. Fatmirësisht, thotë ai, tregu është i plotësuar me farën e misrit, por problematike mbeten çmimet e larta të karburanteve dhe imputeve bujqësore, kryesisht plehrave.

“Ne aktualisht plotësojmë rreth 75-80 përqind të nevojave me prodhimin e misrit. Bëhet fjalë për misrin kokërr, se për misrin për silazhë as që bëhet fjalë të importohet, se e prodhojmë në vend. Ky 20-25 përqind, që merret nga jashtë, kryesisht nga Serbia, normalisht këtë vit do ta kemi të vështirë t’a realizojmë si import, jo vetëm thjeshtë nga çmimi, por edhe fakti se vendet e rajonit po ndjekin politika të tilla, që në eksport janë të kufizuar”.

Për drejtuesin e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, profesor Hajkojën, fermerët janë në periudhën kur intensiteti i mbjelljes së misrit duhet të shpejtohet për të kapur afatet normale të mbjelljes në muajin prill, pasi është e rëndësishme, sipas tij, që fermerët të vjelin kapacitetin biologjik të bimës së misrit për të marrë një rendiment mbi 10 ton për hektarë, çka do të mbulonte edhe shpenzimet nga çmimi i lartë i naftës dhe plehrave kimike.

“Çmimi i misrit është shumë i lartë. Sot, aktualisht në bursat e Europës është rreth 390 euro për ton, që në lek shqiptare përkthehet në mbi 500 lekë të vjetra për kilogram. Marrja e një prodhimi prej 10 ton dhe me këtë lloj çmimi, që nuk ka tendencë të ulet, justifikon edhe këto çmime të larta të imputeve. Pra, të mos neglizhojmë në zbatimin e teknologjive dhe, kryesisht plehnimit, në mënyrë që të vjelim kapacitetin biologjik që ka kjo bimë”.

Shqipëria ka një traditë të pasur në prodhimin e misrit, veçanërisht në zonat si Nënshkodra, ku në të kaluarën janë arritur rendimente të larta.

Si një nga specialistët më të mirë të misrit në Shqipëri dhe në rajon, profesor Hajkoja thotë se, këtë vit, kur tregu ndërkombëtar i drithërave është në krizë, është e rëndësishme të nxiten dhe shfrytëzohen kapacitetet vendase, duke rritur rendimentin dhe shfrytëzuar më mirë, sidomos tokat në zonën fushore të vendit, ku një pjesë prej tyre deri tani kanë qenë djerr./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu