Shoqata “fantazmë” shet ujin e rezervuarin shtetëror, s’deklaron të ardhurat të shmang Përmbarimin

0
Gjigandi

Rezervuari i fshatit Posnovishtë të Gramshit furnizon me ujë vaditës 3 fshatra. Por edhe pse ky rezervuar është pronë shtetërore e ndërtuar në vitin 1975 që prej 10 vitesh menaxhohet nga një shoqatë fantazmë e cila edhe pse ka shpallur falimentin, vazhdon dhe mbledh të ardhura nga fshatarët.

Të ardhurat nuk i deklaron askund duke shkelur ligjin.
Qytetari Bashkim Hysa ankohet në emisionin Fiks Fare sepse ka fituar një gjyq me shoqatën fantazmë të vaditjes së ujit. Bashkimi ka patur leje qe të merrej me rritjen e peshkut në rezervuarin e fshatit Posnovishtë. Por disa persona të cilët menaxhonin rezervuarin duke lëshuar ujin vaditës për fshatarët, dëmtuan edhe vaskat e peshkut që Bashkimi kishte ndërtuar aty duke bërë që i gjithë peshku i kultivuar të ngordhte. Qytetari duke u gjendur përballë një dëmi të tillë të shkaktuar nga personat që menaxhonin rezervuarin vaditës iu drejtua gjykatës.
Gjykata i dha të drejtë Bashkim Hysës i cili fitoi 17 milion lekë dëmshpërblim nga shoqata fantazmë për dëmin që i kishte shkaktuar. Përmbarimi filloi menjëherë ekzekutimin e vendimit duke i bllokuar shoqatës fillimisht 4 milion lekë dhe ja kthehu qytetarit. Pas këtij veprimi shoqata në vitin 2010 shpall falimentin. Bashkim Hysa thotë për gazetarët e Fiksit se pavarësisht shpalljes së falimentit kjo shoqatë vazhdon punën, dhe lekët nga fshatarët për ujin vaditës i merr në dorë,duke mos i deklaruar në bankë dhe në këtë mënyrë shmang Përmbarimin që i bllokon paratë për llogari të Bashkim Hysës sipas vendimit të gjyqit. Gazetarët e Fiksit shkojnë takojnë kryeplakun dhe financierin e shoqatës. Kryeplaku i fshatit ju thotë gazetarëve të Fiks Fare se kjo që po ndodh është vjedhje nga ana e shoqatës. “Të gjithë e dinë askush nuk denoncon dhe kjo ka me vite” pohon ai.
Kryeplaku shpjegon se shoqata vazhdon punën pa e ndërprerë duke faturuar fshatarët në bazë të metrave kub që harxhojnë për të vaditur tokat e tyre. “Edhe unë vetë paguaj për 1 dylym tokë 15 mijë kë në sezon me dy herë që e vadisë” shprehet kryeplaku.
Gazetarët e Fiksit shkojnë të takojnë financierin e shoqatës në fshat. Ai pranon se është personi që mbledh lekët nga fshatarët në emër të shoqatës dhe i mban në shtëpi. Të ardhurat që mblidhen nga shitja e ujit të rezervuarit financieri shprehet se shkojnë për shpenzime mirëmbajtje si saldime tubash, dhe pagesë punëtorësh. “Fillimisht shoqata ka pas 7 anëtarë tani kanë mbetur vetëm katër, dhe lekët nuk kalojnë në bankë edhe pse e dimë që po shkelim ligjin” pohon financieri i shoqatës fantazmë.
Gazetarët e Fiksit shkojnë të pyesin në Njësinë Administrative dhe në Bashkinë e Gramshit. Administratori i Njësisë Administrative Kodovjat në një lidhje telefonike që pati me gazetarët e Fiksit u shpreh se rezervuarin e menaxhonte një shoqatë, por përjashtoi faktin se ishte në dijeni që shoqata nuk deklaronte gjë në shtet. Ai deklaroi se nga ana e tij rasti do të ndiqej. Ndërkohë nënkryetarja e Bashkisë së Gramshit tha për gazetarët se kishte vetëm 2 javë në këtë detyrë, por siguroi se kryetari i kësaj bashkie ishte ne dijeni të problemit dhe se do bënin çmos që ky rezervuar të administrohej nga bashkia.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu