Opinionisti Armand Shkullaku ka thënë që raportet Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut tashmë, sipas tij, janë bërë rutinë.
Shqetësues për Shkullakun është fakti që problemet që përmenden në këtë raport ekzistojnë vërtetë.
“Po të shikojmë raportet e mëparshme, në të njëjtën frymë kanë qenë dhe s’e pritëm që për një vit të ndodhë mrekullia. Ato që thotë raporti i DASh-it që në të vërtetë janë shqetësim, është se në Kosovë ka cenim të lirisë së shprehjes, që ka pasë raste të dhunës ndaj gazetarëve; pra këto janë shqetësuese për shoqërinë e Kosovën. Ose, për rastet e mosndëshkueshmërisë së korrupsionit. Këtë vit, me aq sa kam ndjekur nuk është se ka pasë ndonjë skandal qeveritar të përmasave të mëdha, siç ka qenë herave të tjera”.
“Mosndëshkimi mbetet një problem. Për mua shqetësim është fakti që këto probleme ekzistojnë vërtetë. Kësaj qeverie, mbi të gjitha që është e vetmja që ka numrat për t’i pasë duart e lira për të qenë shembull në luftimin e korrupsionit”.
Shkullaku thotë që për këtë mazhorancë ky kufizim nuk ekziston dhe, sipas tij, në këtë rast Qeveria mund të kenë qenë shumë më aktive.
“Sa i takon rëndësisë së raportit, them që në njëfarë mase janë bërë pak a shumë raporte rutinë, në kuptimin që shoqëria ku ne jetojmë është shumë më përpara se konstatimet e DASh-it. Është më e udhës që të reflektohet nga ne si shoqëri për këto dhe mos të presim raporte. Edhe në Kosovë para një viti, vota për Vetëvendosjen ka qenë votë edhe kundër korrupsionit disavjeçar. Për sa kohë ka qenë votë kundër korrupsionit, shoqëria ka reaguar vet duke qenë e ndjeshme ndaj fenomeneve të tilla”.
Megjithatë, Shkullaku tha që nuk e minimizon rolin e këtyre raporteve.
“Janë kambana që bien dhe një qeveri e kujdesshme duhet t’i dëgjojë. Për mua më shqetësuese në këtë raport ka qenë cështja e lirisë së shtypit . Nuk pres një mazhorancë e tillë të ketë të tilla probleme në Kosovë”
, tha ai.