SHËNIM: Dy aziatike në derën time për të lypur parà dhe politizimi vulgar i bamirësisë

0
Gjigandi

 

Nga Edona Llukaçaj

Botuar në DITA

Sërish këto ditë festash (e disata herë për data të shënuara apo pa arsye) në derën e shtëpisë mu shfaqën grupe përsonash të paidentifikueshëm për të kërkuar para. Këmbëngulëse  sa lodraxhinjtë kakofonikë të Ramazanit e grupet e dyshimta me fotografi të sëmurësh a të lënduarish në duar, – vizitën më të spikatur e mora nga tre zonja-vajza të reja, dy prej të cilave, dukshëm, me tipare aziatike.

Sapo hapa derën, njëra syresh filloi të më lexonte një paragraf të gjatë nga ekrani i telefonit. Qartazi, në një gjuhë që nuk e njihte por që ishte shqip, vizitorja nga larg më ftonte të ndihmoja monetarisht “gratë dhe fëmijët në nevojë”. Ndërsa, nën dirigjimin e vendalijes së grupit, tjetra më zgjati kutinë e mbështjellë me letër dhuratash.

RonaTyra

Ndonëse brenda mundësive të mija përpiqem të kontribuoj disi për shoqërinë dhe ndaj kauzës në fjalë jam tejet e ndjeshme, ngurova të hidhja të holla në kuti.

Kjo nuk kishte të bënte me faktin se kartat që duhet të identifikonin vullnetaret nuk përmbanin ndonjë mbishkrim. Si duket, krejt gabimisht, ishin kthyer nga ana tjetër. Mund ta kisha injoruar edhe sepse në paragrafët e lexuar nuk u përmend asnjë grupim apo organizim i çfarëdoshëm i cili të operonte për ndërmarrjen kuptimplotë.

Por, ajo që më pengoi të ndihmoja qoftë edhe modestisht apo sa për të larguar nga pragu “vullnetaret” ishte ndjesia se vajzat aziatike, si, ndoshta, dhe emigrantë të tjerë gjetkë, po shfrytëzoheshin edhe më shëmtuar se sa dukej.

Që Shqipëria (nga shumë vise të largëta dhe të trazuara) shihet si një mundësi për t’iu afruar vendeve të zhvilluara të Europës, (ku, për më tepër, mund të punësohesh) tashmë, dihet. Që politikat vendase e mbështesin këtë dhe që të huajt, përditë e më shumë, po bëhen alternativa zëvendësuese e përqindjes të lartë të shqiptarëve ikanakë, po ashtu, dihet. Dihet edhe se të huajt preferohen nga punëdhënësit si krah pune i lirë, i bindur dhe punëtor në krahasim me shqiptarët “dembelë”.

Por shfaqja e këtyre vullnetareve alternativë pragjeve – si duket krah më i lirë pune – përkon me fushatën e baltosjes së fondacioneve të mirëfillta me arritje të prekshme në vend dhe me shndërrimin e politikanëve në “babagjyshë” të velshëm festash. E kjo është shqetësuese.

Është shqetësuese sepse djaloshi që sensibilizoi me mijëra, sidomos më të privilegjuarit, për t’i zgjatur dorën shumë e shumë “të harruarve” të shoqërisë sonë e përtej, akuzohet se rrjedh nga familje e pasur. A thua se fjalët e bukura mjaftojnë për të ndihmuar ata në nevojë.

Është shqetësuese se nisma e priftit katolik në Zadrimë, e cila rimëkëmbi një krahinë të tërë dhe pengoi shpopullimin, nuk u vijua e përhap, por po dënohet me harresë.

Është shqetësuese se imami mysliman pa mjekër, pa pantallona treçerekëshe e me kollare – pra, aspak fundamentalist nga pamja – po heshtet. Ironikisht, pasi shtëpitë e rindërtuara në Thumanë me fondet e mbledhura nga fondacioni që ai drejton iu pre shiriti politikisht.

Por, mbi të gjitha, është shqetësuese se vajzat nga larg u shëtitën rrugëve të Tiranës si maskota ndjellëse, pikërisht atëherë kur politikanët me kamera e spote “shitën” si bamirësi festash politika sociale që duhej të ishin implementuar me kohë.

Prandaj “vullnetaret alternativë” në pragun tim i përcolla me karamele e çaj të ngrohtë. Thjesht, se refuzoj shndërrimin e njerëzve në dekor të importuar. Se nuk duhet pranuar të politizohet vulgarisht edhe bamirësia e vullnetarizmi.

Të paktën, spekullimi me mirësinë dhe të mirën mund të na kursehet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu