DELIRI NACIONALIST GREK , OPOZITA SHQIPTARE DHE BELERI

0
Gjigandi

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

“Ujku sulmon me dhëmbë, demi sulmon me brirë, greku sulmon me kishë”: Fan Noli.
Tashmë u bë më shumë se një gjysëm viti që çështje Beleri ka shkuar përtej një çështje të rëndomtë, si mund të ketë ndodhur disa herë në Shqipëri, në të gjitha rastet kur abuzohet ndaj ligjeve të shtetit, manipulohet, blihen apo shiten vota. Beleri nuk është as i pari , as i fundit, që është bërë objekt i një ndjekje penale. Në fakt, ai duhet të kishte qenë objekt i sistemit të drejtësisë prej kohe, për gjëra shumë më të mëdha dhe të qenësishme, sesa kjo për të cilën akuzohet.

Beleri është një ndër shembujt se si politika e prapshtë, mediokre, nga zemërimi i çastit, synon të sjellë në skenën e politikës figura që nuk kanë të bëjnë me asnjë vlerë morale, për më tepër, në një të shkuar jo të largët, pikërisht naga që u zgjodhën si përfaqësues të tyre, jo rastësisht, ishte i akluzuar për ngjarje kriminale, si vrasja e ushtarëve shqiptarë në një krim të organizuar nga forcat ultra nacionaliste greke, ku Beleri bënte pjesë.

Beleri ka dalë nga qenia thjeshtë një rast shqiptar. Për të është folur në institucione ndërkombëtare, rastin e tij e kanë përdorur si as nën mëngë politikanë të rëndësishëm grekë, duke përfshirë edhe shefin e qeverisë greke; letra për të janë drejtuar në Këshillin e Evropës, në parlamentin Evropian; debate për rastin e tij janë bërë mes krerëve të botës, duke u shndërruar një çështje më të gjerë se ajo që i takon strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar.

RonaTyra

Beleri është ende në gjendje arresti, duke pritur gjykimin e tij, i cili po zgjat tej çdo kohe të arsyeshme, kur, më heret, raste të tilla kanë përfunduar shumë më shpejt.
Media greke, qeveria greke, opozita greke, njerëz të politikës greke, megjithëse e dinë fare mirë se Beleri është një hiç në shahun e tyre të politikës, e vendosën atë në skakierën e tyre si një kalorës të madh. Opozita në Shqipëri, në vend që të skuqej për çfarë kishte zgjedhur, i bëri amin thirrjeve nacionaliste greke, qarqeve thellësisht reaksionare, duke harruar se, ashtu si Beleri në Shqipëri, në shtetin grek ishin ndaluar disa kandidatë bashkiakë.

Çuditërisht, ajo që quhet e arsyeshme dhe çështje e drejtësisë në shtetin grek, në Shqipëri, nga shteti grek, trajtohet si çështje politike.
Befas, jo rastësisht, ai u bë edhe deliri i zakonshëm nacionalist i kishës greke. Ajo doli nga sinori i saj dhe po bën thirrje për luftë dhe zaptim të tokave shqiptare, megjithëse vetë vendi nga bëhet thirrja është trevë shqiptare.
Kisha ortodokse greke e bëri menjëherë Belerin si njeriun e ndëshkuar padrejtësisht nga politika e shtetit fqinj dhe nëse do të zgjasë edhe më tej,  është e mundur të dalin zëra të ngashëruar që do të kërkonin shpalljen e Belerit si shenjt të çështjes greke; njëjtë si bën edhe opozita në Shqipëri.

Mirë ultrasit, qeveritarët, opozitarët grekë, media e vendit fqinj, gjithëfarë ish drejtues të bashkive të mëdha, që pas meingjeve humbën edhe postet në zgjedhjet e fundit, po njerëzit e zotit çfarë kanë?

Ndoshta duhet thënë: mirë njerëzit e kishës greke, po ultrasit çfarë duan?
Një ndërthurrje aspak e rastësishme dhe derë më derë për zjarrin që duan.
Dalldi e zgjuar befas nacionaliste apo pritje e një shkëndije për të ndezur një zjarr që mendohej se po shuhej?

Në pak orë, e gjithë ajo që kishte mbetur në skutat e një nacionalizmi ekstrem , u zgjua, mori formën e saj të zakonshme agresive, shpërtheu dhe trajtat e saj po shfaqen në jetën politike greke, që nga qeveria, që tani duket se është më e matur, por që mund të detyrohet të jetë e rebeluar, nga strukturat djathtiste brenda parlamentit e deri më tej, ku politika zjen në dfiskutimet e zakonshme greke, të cilët nga athinasit e lashtë kanë marrë vetëm vendin e debatit: rrugët, por jo mendjet e shquara.

Në një shkrim timin të mëhershëm kam përmendur rastin e ushtarit mirditor Llesh Pali dhe këngën për të dhe një mik i imi, veçanërisht i çmuar për mua, më shkroi se , nëse drejtësia shqiptare, me të drejtën do të dënojë Belerin, për gjithçka ka bërë , atëherë mitizimi i tij do të vazhdojë edhe më tej. Do të ketë këngë për të, do të ndizen turmat, një makineri e tërë do të vihet në shërbim të rritjes së një miti të rremë, por që është lehtësisht i përdorshëm. Beleri do të shfrytëzohet nga qarqet nacionaliste greke, deri në qeverinë e saj ashtu si janë përdorur të gjitha rastet e tjera, që, edhe pse kanë qenë fiasko politike, kanë gjetur vend në mendësinë greke të dorës së fortë ndaj vendit fqinj.
Beleri , si çështje politike , nuk ekziston. Beleri, si kauzë nacionaliste, ekziston. Drejtësia shqiptare e sheh këtë si çështje të saj, jo të politikës. Qarqet greke e shohin si trajtesë politike, që mund të futet lehtësisht në rrotat i ingranimit të Shqipërisë, thjesht si njëra ndër gjetjet e shumta që kanë ndodhur edhe më parë.

Arrestimi i Belerit solli fitoren e tij me fare pak vota, por humbjen e Këshillit Bashkiak. Beleri viktimë ishte më i duhur, se sa Beleri që njihej. Në gjendje arresti ai përbënte një kauzë për nacionalizmin e çartur grek, ndërsa si humbës nuk përbënte asgjë. Arrestimi i tij solli mbi 50 autobuzë në Shqipëri, më shumë se 1 .500 njerëz, të cilëve u kërkohej të votohej për “ minoritarin” e konvertuar, si shenjë e një kauze të re në politikën greke.

Beleri në gjendje arresti, ende i pa gjykuar, është më lehtësisht i përdorshëm për kauzën nacionaliste greke dhe opozitën në Shqipëri, se sa me një gjykim përfundimtar.
Shteti shqiptar nuk ka pse të bëhet pjesë e vendimeve të strukturave të drejtësisë, ashtu si deri më tani nuk është bërë. As nuk ka pse të vendosë në agjendën e saj zgjidhjen politike të çështjes Beleri.

Politika greke, media e saj, që dikur e kanë trajtuar Belerin si njëri ndër njerëzit e njohur të organizatës kriminale MAVI , sot mund të duan ta bëjnë hero. Sepse nuk kanë kohë për arsye, duan një shkak dhe, këtë shkak, nuk ua dha vendi ku ndodhi e gjithë ngjarja, por mendësia e rrënjosur me forcë, përmes tropitjes së përbashkët, pjesë të kishës greke dhe të politikës së saj në Shqipëri,të paguarit e politikës greke që bëjnë rolin e masonit të pafajshëm, si Dule, Bollano, e pjesëz të Omonias, ia dhanë njerëzit e politikës ,që votat ua kërkojnë shqiptarëve, por eurot i marrin nga Athina, ia bën një pjesë e opozitës, e cila, është e gatshme që, nga inati për Edi Ramën, të shkojë e të flejë me Belerin.

Tri gjëra nuk janë thënë si duhet:
Së pari, Himara nuk është pjesë e minoritet grek. Aty jetojnë njerëz të greqizuar, të cilët, në shumicën e rasteve, prejardhjen e tyre e kanë nga fiset e labërisë apo të Veriut të Shqipërisë. Qendresa e tyre ndaj perandorisë ormane nuk ka lidhje me qënien e tyre si pjesë e minoritetit grek, por me shumë faktorë të tjerë, të njëjtë me atë që kishin banorët e Dukagjinit, të Mirditës, të Malësisë së Madhe.

Së dyti, vetë Beleri është një banor i Labërisë, e greqizuar, si një shembull i asaj që ka ndodhur në dia dekada, sidomos pas vitit 1990, me një pjesë të madhe të banorëve të Himarës. Joshja ka qenë e madhe, e djeshmja ka qenë e hidhur, atdhedashuria shumë herë doli në treg, dhe blerësi dihej se kush ishte. Pra, fjala nuk është në shkeljen e të drejtave të një minoritari, megjithëse ai nuk do të gjykohet si minoritar, por në shkeljen e ligjeve të shtetit shqiptar, si çdo shtetas i saj.

Së treti, nacionalizmi i çartur grek, i shtrirë sidomos në Kishën ortodokse dhe në pjesë të qeverisë, çështjen Beleri e kanë çështje të radhës. Herë pas here ata kanë ngritur çështje të tilla, kanë bërë bllokime politike për çështje ordiniere. Kjo po ndodh edhe tani.
Në Shqipëri, në shumicën dërmuese të popullsisë kjo është trajtuar si çështje e rëndomtë e sistemit të drejtësisë.

Të jemi të qartë.

Nacionalizmi i bën nder një kombi të vogël. Gjithkush, në momente të veçanta, sado i squllët të jetë, ka në vete një ndjenjë që i zgjohet, ndoshta edhe befas, pa e ditur, dhe, do apo nuk do ai, bëhet pjesë e jetës së tij.

Askush nuk i akuzon grekët se duan vendin e tyre. Nëse e duan, mirë bëjnë, por nuk besoj se këto që kaluan në delirin ultranacionalist e duan Greqinë. Të paktën jo Greqinë e një kohe të shkuar, kur helenët vendosnin për botën e tani bota vendosi për mbijetesën e tyre.
Është një trinitet i çuditshëm, por jo i panjohur: strukturat ekstremiste deri në akte terrori, si ishin e janë pjesë të Mavi dhe “Agimi i Artë”, pjesë të rëndësishme të Kishës greke që i kap shpejt dalldia nacionaliste dhe struktura politike në Shqipëri.

Përmes këtij triniteti lëviz edhe dalldia e tashme e ultrasve nacionalistë; ajo kapje marramendëse që kalon kufijtë e çdo lloj arsye dhe bëhet tejet e paarsyeshme.
Dhe, kur pjesë e kësaj dalldie bëhet edhe opozita shqiptare, ajo që nisi si risi e ndjenjës kombëtare dhe u bë kozmopolite deri në harrimin e kombëtares, e di se duhet përsëritur një thënie e lashte romane, “Arimiku është tek porta”.
Ky trinitet, më parë se të jetë rrezik për vendin tonë, është për vetë grekët, dhe, dalldia e tyre ngjan si dy pika uji me dallidinë e ekstremistëve islamik, që , pas çdo ngjarje fillojnë e çartallosen deri në çmenduri.
Të gjithë ekstremet takohen. Që nga Dule e deri tek Nikolas Geixh. Që nga Beleri e deri tek Bollano.

Por kur ata bëjnë flamur të tyre një rast si ky që ndodhi në Shqipëri, do të thotë se flamujt tjerë u janë rreckosur.
Dhe kur, këtij triniteti i bashkohen edhe “ trinitete “ të tjera, brenda llojit, por me kombësinë tonë, atëherë ata nuk kanë kuptuar fillesën e këtij nacionalizmi ultras: dobësia e tyre qëndron pikërisht në mendësinë tipike ballkanike, përmes së cilës ultrasit jo vetëm nuk mësojnë nga fajet e tyre, por as nga koha që u kalon mbi krye, e papërfillshme për to.

Në Shqipëri, për fat të mirë, nuk kishte një dalldi të tillë nacionaliste. Më tepër ajo u mundua të importohej nga politika, se sa ndodhi në të vërtetë. Politika ishte më e interesuar për eksportimin e delirit nacionalist tek pushteti, jo si shenjë qëndrimi tolerant e europian, por si një dinakëri bizantine e mveshur me dëshira të prapshta, edhe pse këto dëshira mund të nxinin kombin e tyre.

Është mirë që ekziston kombi grek. Bile është e domosdoshme ekzistenca e tij. Ashtu si është mirë që ekziston kombi shqiptar, megjithëse i vetmi i ndarë në 5 shtete ballkanike.
Në të gjithë botën rasti Beleri do të ishte një ngjarje rutinë. Edhe në shtetin grek do të ishte i tillë.

Do të ishte i tillë nëse kokat e ultrasve nuk do të ishin kaq të nxehta.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu