AMERIKA – Një vend eksepsional?

0
Gjigandi

Nga Fatos TARIFA

Botuar në DITA

Si një shoqëri thuajse sui generis, Amerika ka tërhequr me kohë vëmendjen e shumë intelektualëve të njohur europianë.  Në fillim të viteve 1830, Alexis de Tocqueville e vizitoi atë vend për 9 muaj radhazi dhe shkroi një prej librave më me influencë në shekullin e 19-të, Democracia në Amerikë, botuar në dy vëllime, përkatësisht në vitet 1835 dhe 1840.

Ky libër është një kryevepër e letërsisë historike e politike dhe vazhdon të konsiderohet edhe sot si libri më i mirë që është shkruar ndonjëherë për Amerikën dhe për demokracinë.

Karl Marks dhe Amerika

RonaTyra

Vepra e Tocqueville mbi Amerikën dhe marrëdhëniet e tij me atë vend janë botërisht të njohura. Ajo që njihet më pak, sidomos nga publiku shqiptar, është interesimi që kishte Karl Marksi për Amerikën dhe marrëdhënia e tij me historinë dhe me shoqërinë amerikane të kohës së vet.

Edhe pse kur ishte i ri Marksi kishte menduar seriozisht të emigronte në Amerikë, ndoshta në Texas, ai nuk shkeli kurrë në atë vend. Kjo rrethanë, sidoqoftë, nuk e pengoi Marksin që të shkruante për atë vend, sidomos për Luftën Civile në Amerikë dhe për rëndësinë historike të saj. Siç dihet, Lufta Civile në Shtetet e Bashkuara (1861-1865) u zhvillua mes shteteve të veriut të atij vendi (“the North”, ose “the Union), që i qëndruan besnikë republikës federale, dhe shteteve të jugut (“the South”, ose the Confederacy), që ishin shkëputur nga federata për të formuar Konfederatën e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë periudhës së Luftës Civile, Marksi shkroi për gazetën New York Daily Tribune si korrespondenti i saj në Europë. Ai botoi në atë gazetë rreth 350 artikuj mbi Luftën Civile, të cilët lexohen me interes nga shumë historianë, sociologë dhe ekonomistë edhe sot, pas më shumë se një shekullit e gjysmë. Burime historike dëshmojnë se Abraham Lincoln ishte një lexues i rregullt i gazetës në fjalë, në atë kohë gazeta me numrin më të madh të abonentëve në të gjithë botën, si dhe i artikujve të Marksit që u botuan në të.

Në artikujt dhe në letrat e tij të asaj periudhe, Marksi argumentonte se “Deklarata e Emancipimit” (The Emancipation Proclamation)—e nënshkruar nga presidenti Abraham Lincoln më 22 shtator 1862, gjatë Luftës Civile në atë vend—dhe armatimi i ushtarëve zezakë në shtetet e veriut e transformuan Luftën Civile në Amerikë nga një “luftë kushtetuese” për mbrojtjen e republikës, në një “luftë revolucionare”.

Në janar të vitit 1861, pasi Abraham Lincoln kishte fituar zgjedhjet presidenciale por ende nuk kishte marrë detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në një letër dërguar mikut të tij Friedrich Engels, Maksi shkruante se: “[dy] ngjarjet më të mëdha që po ndodhin në botën e sotme janë, nga njëra anë, lëvizja e skllevërve në Amerikë…dhe, nga ana tjetër, lëvizja e fshatarëve bujkrobër në Rusi”.

Më vonë, në vëllimin e parë të Kapitalit, Marksi do të vinte në përfundimin se: “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo lëvizje punëtore e pavarur ka qenë e paralizuar për sa kohë që skllavëria e shkatërroi një pjesë të republikës. Nuk mund të ketë emancipim të punës për njerëzit e bardhë nëse kjo nuk ndodh dhe për njerëzit me ngjyrë. Sidoqoftë, një jetë e re nisi menjëherë pas abrogimit të skllavërisë. Fruti i parë i Luftës Civile në Amerikë ishte fushata për ditën tetë-orëshe të punës”.

Zhvillimet ekonomike dhe politike në Amerikën e mesit të shekullit të 19-të dhe, sidomos, Lufta Civile në atë vend, të cilat, sipas Marksit, do të kishin pasoja “në shkallë globale”, kanë pasur një ndikim kaq të madh në formimin e tij, saqë, siç shkruan një historian amerikan, “edhe pse Marksi konsiderohet si një fenomen europian, pikëpamjet e tij politike radikale u formuan përfundimisht nga marrëdhëniet e tij me jetën në Amerikë”. Madje, në formulimin e disa prej pikëpamjeve të tij më të rëndësishme mbi kapitalizmin, Marksi kishte parasysh pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Marksin, Shtetet e Bashkuara ishin në të vërtetë një case study, pra një rast studimor. Në atë vend, sipas tij, kapitalizmi u zhvillua si në një “greenhouse”. Tek Amerika, Marksi dalloi të parin vend “tërësisht kapitalist” që kultivoi te njerëzit idenë se “puna është burimi i pasurisë dhe pasuria i vetmi objekt i punës”. Për më tepër, edhe pse në atë kohë Amerika ishte bërë një ndër tre gjigandët industrialë të botës, ky vend ende nuk kishte krijuar një sistem strikt dallimesh klasore. Kjo, sipas Marksit, shpjegohej me faktin se Shtetet e Bashkuara nuk kishin pasur një të kaluar feudale dhe as i kishin njohur patologjitë e rendit feudal.

Ky “eksepsionalizëm” amerikan, sidoqoftë, për Marksin ishte një rrethanë e përkohëshme, pasi, ndryshe nga Tocqueville, vepra e të cilit nuk i kushtohej kapitalizmit amerikan, por demokracisë në Amerikë, Marksi u interesua kryesisht për marrëdhëniet ekonomike kapitaliste në atë vend dhe, prandaj, në dallim nga Tocqueville, i cili tek Amerika shihte një model për zhvillimin edhe të Europës, Marksi besonte se e ardhmja e Amerikës është Europa.

Max Weber dhe Amerika

Max Weber ishte një tjetër intelektual i shquar europian, i cili shfaqi një interes të jashtëzakonshëm për Amerikën. Në veprën e tij klasike Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit (1958), Weber flet gjerësisht për Amerikën dhe jep një përshkrim tepër interesant të pejzazhit social të atij vendi, duke iu kundërvënë stereotipeve gjerësisht të përhapura në Gjermaninë e kohës së tij mbi atë vend, si edhe imazhit të gjermanëve dhe të europianëve të tjerë mbi shoqërinë moderne në përgjithësi.

Weber e vizitoi Amerikën vetëm një herë, në vitin 1904, në një kohë kur sapo kishte përfunduar së shkruari pjesën e parë të Etikës protestante. Kjo vepër u plotësua pas kthimit të tij nga Amerika në Heilderberg dhe u botua, në gjermanisht, një vit më vonë, më 1905. Në librin e tij Max Weber në Amerikë, Lawrence Scaff pohon se udhëtimi i Weber-it në Shtetet e Bashkuara mund të konsiderohet si një pikë kthese në jetën e tij dhe si një moment shumë i rëndësishëm në formimin e ideve të tij sociologjike.

Edhe pse i indikuar shumë nga tradita intelektuale gjermane e idealizmit, e romantizmit dhe e dëshpërimit kulturor konservativ, Weber nuk mund të kuptohet pa marrë në konsideratë eksperiencën e tij në Amerikë. Vizita e tij në Shtetet e Bashkuara dhe përvoja që ai fitoi gjatë atij udhëtimi ndikuan thellësisht në pikëpamjet e tij mbi emigracionin, mbi kapitalizmin, mbi shkencën dhe kulturën, mbi racat dhe diversitetin kulturor, mbi protestantizmin dhe modernitetin, tema këto gjerësisht të trajtuara në veprat e tij.

Në fakt, krijimtaria intelektuale më e rëndësishme e Weber-it nisi pas kthimit të tij nga Amerika. Shtetet e Bashkuara i dhanë Weber-it mundësinë që të shihte realisht se si kishte qenë jeta shoqërore para se ajo të kalçifikohej në ato forma, që përkthyesi i veprës së tij në Amerikë, sociologu i shquar Talcott Parsons, do i quante “pattern variables”. Po kështu, rruga e veçantë që ka ndjekur Amerika drejt modernitetit do të ishte e vështirë të kuptohej pa një njohje të thellë të atij korpusi të gjerë veprash që shkroi Max Weber. Hans Gerth dhe C. Wright Mills janë të mendimit se: “Shtetet e Bashkuara ishin për Weber-in ajo çfarë Anglia ka qenë për brezat e mëparshëm të liberalëve gjermanë: modeli i një shoqërie të re”.

Në imagjinatën time si sociolog, gjithnjë jam përpjekur të kuptoj se si Max Weber, ky mendimtar kuintesencialisht gjermanmë gjerman edhe se internacionalisti Karl Marx—është pritur dhe çfarë ka parë ai, në vitin 1904, në rrugët e Çikagos, në malet e Karolinës së Veriut, në Nju Orlins, në fushat e Alabamës dhe të Oklahomës, në Niagara, në Boston dhe në Kembrixh (Masaçusets), në rrugët e Manhatanit, apo në qytete të tillë, si Filadelfia, Uashingtoni dhe Baltimor—që ai i vizitoi gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara—dhe si konkretisht ka ndikuar Amerika në zhvillimin e mendimit të tij sociologjik.

Gerth dhe Mills, në biografinë që kanë shkruar për të, na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë pa dhe çfarë kuptoi Weber në Amerikë në fillim të shekullit të 20-të. Ata kanë shkruar: “[Weber] mahnitej me të ashtuquajtin rush hours në Manhatanin e poshtëm, çka atij i pëlqente ta vëzhgonte nga mesi i Urës së Brúklinit, si një panoramë transporti masiv dhe lëvizjeje të zhurmshme. Grataçielat, të cilat ai i shihte si ‘fortesa të kapitalit’, i kujtonin atij pikturat e vjetra të kullave në Bolonjë dhe në Firence”.

Çikago, nga ana e saj, me shkallën e lartë të krimit e të dhunës, me kontrastet e mprehta mes bregut të artë dhe lagjeve të varfra, “tymit, pisllëkut, gjakut dhe anëve të errëta” të grataçielave, i la Weber-it përshtypjen e një qyteti “të jashtëzakonshëm”. Këtë përshtypje tek ai e thelloi edhe më tej përzierja “e lodhshme” e njerëzve që e popullonin atë qytet dhe për të cilët Weber shkruante: “Grekët pastrojnë këpucët e amerikanëve për pesë cent, gjermanët shërbejnë si kamerierë, irlandezi merret me politikë dhe italiani gërmon kanalet e pistë. Me përjashtim të disa zonave rezidenciale, i tëri ai qytet gjigant, më i madh se Londra, është si një njeri, të cilit i është zhveshur lëkura dhe mund të shohësh se ç’ndodh brenda trupit të tij”.

Lexuesit e veprës së Weber-it Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit nuk e kanë të vështirë të venë re ndikimin që ka pasur në mendimin sociologjik weberian një figurë e tillë ikonë në historinë dhe në kulturën amerikane, si Benjamin Franklin. Për Weber-in, Franklin ishte personifikimi i tipit ideal të “shpirtit të kapitalizmit”, si dhe një provë e qartë e fuqisë së “shpirtit” si një faktor i rëndësishëm në histori. Si një ndër themeluesit e “Ëndrrës Amerikane”, Benjamin Franklin i shërbeu Weber-it si një ilustrim mjaft i mirë i “frymës së kapitalizmit”, që ky i fundit u përpoq të shtjellonte në veprën e tij.

Amerika si imagjinatë sociologjike dhe si përvojë jetësore

Kjo trashëgimi teorike e shkëlqyer që na kanë lënë këta intelektualë europianë të mëdhenj të shekullit të 19-të—Alexis de Tocqueville, Karl Marx dhe Max Weber—lidhur me shpjegimin e shoqërisë amerikane dhe të vetë Amerikës, si një qytetërim kulturor, juridik e teknologjik modern, nuk ka se si të mos ushqente kuriozitetin dhe mendimin tim sociologjik pasi u njoha me të dhe, sidomos, pas vizitës sime të parë në Shtetet e Bashkuara.

Para se të vizitoja për herë të parë Shtetet e Bashkuara, unë nuk kisha lexuar asgjë nga Tocqueville dhe nuk kisha as idenë më të vogël se si Amerika kishte ndikuar në formimin e mendimit ekonomik e sociologjik të Marksit dhe të Weber-it. Deri atëherë, përfytyrimi im për Amerikën ishte ushqyer kryesisht nga leximi i romaneve të disa shkrimtarëve të njohur amerikanë, si Jack London, Theodore Dreiser, Ernest Hemingway, Irwin Shaw, Truman Capote apo Erich Segal, si dhe nga filmat “Western”. Njohurive historike e letrare për atë vend, në fundin e viteve 1970 dhe në vitet 1980 iu shtuan imazhet thuajse surrealiste të serialëve televizivë të tipit soap opera, “Dynasty” dhe “Dallas”, që në Shqipëri i shihnim “fshehurazi” në televizionin jugosllav.

Ato çfarë pashë dhe mësova në Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës sime të parë në atë vend 32 vite më parë nuk kishin thuajse asnjë lidhje me përfytyrimet që kishin krijuar tek unë për Amerikën Dreiser, Hemingway apo Shaw, ndërsa imazhet e “Dinastisë” dhe të “Dallasit” s’ishin veçse reflekse iluzore që shfaqeshin në grataçielat e Manhatanit, në Rockefeller Center apo në Time Square. Diçka të ngjashme kisha parë edhe në Toronto më parë por, megjithatë, për mua, Amerika ishte qysh në fillim diçka tjetër. Një tjetër qytetërim.

Vizita e parë në kryeqytetin amerikan në nëntorin e vitin 1991, në të cilin, një dekadë më vonë, do të jetoja dhe punoja për katër vite me radhe si ambasador i vendit tim, planimetria urbane e përsosur e atij qyteti, Kapitoli, Monumenti i Uashingtonit, Memoriali i Linkolnit, Memoriali i Xhefersonit pranë basenit Tidal, si dhe takimet formale në Departametin e Shtetit dhe, në javët në vijim, qëndrimi për disa ditë në Manhatan, në Boston dhe në Miçigan, u dhanë qysh në fillim një tjetër dimension historik e kulturor perceptimeve të mia mbi shoqërinë amerikane dhe mbi organizimin politik e burokratik të saj.

Ajo vizitë e parë në Shtetet e Bashkuara u bë preludi i nje experience të gjate e shumë të pasur në atë vend, një eksperiencë e përjetuar—privatisht dhe shoqërisht—në një mënyrë që pak njerëz kanë pasur mundësi. Vetëm disa muaj pasi u ktheva nga Shtetet e Bashkuara, në verën e vitit 1992 e vizitova përsëri atë vend, këtë herë për një periudhë shumë më të gjatë, si një ndër studiuesit e parë shqiptarë që fituan një grant “Fulbright” dhe u mora me studime në fushën e sociologjisë politike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çapëll Hill, universiteti i parë shtetëror në Shtetet e Bashkuara. Programi doktoral në Departamentin e Sociologjisë në atë universitet, i cili u bë “streha” ime akademike, renditej në atë kohë—dhe vazhdon të jetë edhe sot—një ndër pesë më të mirët në të gjithë universitetet amerikanë. Kjo ishte arsyeja që, dy vite më vonë, më 1994, unë zgjodha pikërisht atë universitet për të kryer studimet e mia doktorale, në përfundim të të cilave, në vitin 1998, fitova gradën PhD.

Siç kam venë në dukje në librat Amerikanofobia dhe anti-amerikanizmi europian (2008) dhe Afrimi i Madh (2023), vlerësimet e mia për Amerikën nuk mbështeten në gjykime klishé ose në steriotipe, as në paragjykime ideologjike, racore, apo fetare dhe as në njohuri të përcipta mbi historinë, gjeografinë, kulturën dhe politikën e atij vendi. Ato mbështeten në vëzhgime të shumta, në ekzaminime të kujdesshme dhe në përvojat e pasura të fituara përmes kontakteve të drejtpërdrejta me mijëra njerëz nga shtresa dhe grupe të ndryshme të popullsisë në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga personalitetet më të larta të politikës amerikane (kur shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Uashington), te qindra e mijëra akademikë, studentë, njerëz të artit, qytetarë të thjeshtë amerikanë, punonjës të administratës, punëtorë dhe deri te banorët indigjenë (ose kombet sovranë) të Amerikës—“indianët” e fiseve të tilla si, Seminolët (në Florida), Cherokee (në Karolinën e Veriut) dhe, sidomos, Chitimacha (në Luiziana).

Përvoja ime në Shtetet e Bashkuara është pasuruar, gjithashtu, nga udhëtime të shumta në qindra qytete në 43 prej 50 shteteve të atij vendi, deri, madje, edhe në ishujt Saipan dhe Tinian të Komonuelthit të Marianave Veriore dhe në Guam, territoret më të largëta të Shteteve të Bashkuara në Oqeanin Paqësor.

Çfarë unë kam parë, kam vëzhguar, kam mësuar dhe kam përjetuar për më shumë se 14 vite që kam jetuar, studiuar dhe punuar në atë vend, si dhe qindra mijëra kilometra që kam udhëtuar kryq e tërthor Amerikës—nga Lindja në Perëndim dhe nga Veriu në Jug—kanë qenë një shkollë më vete, e një lloji të veçantë, një përvojë jetësore krejt unike, që nuk do të kisha mundur dot kurrë ta përfitoja thjesht përmes leximeve, as vetëm në katër vite studime doktorale në njërin prej universiteteteve më të mirë të atij vendi dhe, aq më pak, përmes shërbimit diplomatik gjatë katër viteve në Uashington.

E tëra kjo përvojë personale e drejtpërdrejtë dhe e gjatë, e cila shumë herë ka qenë një përvojë shoqërore, e lidhur mirëfilli me institucionet politike, juridike, ekonomike, akademike dhe kulturore të sistemit shoqëror amerikan, më kanë ndihmuar vitet e fundit të reflektoj, nga një perspektivë sociologjike, për ato tipare “eksepsionale” që kanë vlerësuar dhe admiruar tek Amerika Alexis de Tocqueville, Karl Marx dhe Max Weber dhe çfarë kanë shkruar për atë vend këta mendimtarë të shquar.

Po kjo eksperiencë personale e shoqërore e gjatë dhe e gjithanshme në Shtetet e Bashkuara më kanë shtyrë prej kohësh të reflektoj mbi ato tipare të shoqërisë amerikane që e bënë një tjetër mendimtar europian të shquar, si Sigmund Freud, pas vizitës së tij të parë dhe të vetme në atë vend, në vitin 1909, jo vetëm të humbiste admirimin e tij të hershëm për Amerikën dhe dëshirën e tij për t’u shpërngulur në atë vend, por edhe ta quante Amerikën “një gabim, një gabim gjigand”.

Amerika, një vend “eksepsional”?

Në një libër të ri, titulluar Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara, që botohet së shpejti, i kam qëndruar larg synimit për të shpjeguar “eksepsionalizmin” amerikan nga prizmi i eksperiencave të mia personale e shoqërore në atë vend, edhe pse kjo duket si një detyrë e pamundur. Në këtë libër përpiqem të shpjegoj origjinën, motivet historike e fetare, si dhe filozofinë politike që kanë ushqyer dhe mbajtur gjallë për më shumë se dy shekuj metanarrativën mbi “eksepsionalizmin” amerikan, idenë se Amerika është një vend krejt “i veçantë” nga të gjithë vendet e tjerë dhe amerikanët janë një popull “si asnjë tjetër” në planetin tonë.

Pavarësisht kritikave që u janë bërë nga koha në kohë konceptit “eksepsionalizëm” amerikan dhe besimit në të, një numër i konsiderueshëm studimesh e analizash pohojnë se besimi në “eksepsionalizmin” amerikan ka pasur e ka një ndikim të vazhdueeshëm e të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Këto studime vënë në dukje se, pavarësisht kontradiktave që në mënyrë inherente përmban ky koncept, narrativa mbi “eksepsionalizmin” e bën këtë koncept një realitet kulturor dhe një forcë të fuqishme.

Për arsyet e mësipërme, besimi në “eksepsionalizmin” amerikan nuk mund të nënvlerësohet dhe as duhet parë thjesht si retorikë, por duhet vlerësuar si një ide e rëndësishme që ka ndikuar e vazhdon të ndikojë në diskursin politik mbi politikëbërjen në Shtetet e Bashkuara dhe në të kuptuarit nga ana e publikut amerikan të çështjeve që kanë të bëjnë kryesisht me politikën e jashtme të vendit të tyre.

Me këtë, sigurisht, nuk duhet kuptuar se besimi në “eksepsionalizmin” amerikan ka qenë dhe është motivi kryesor i çdo politike të jashtme amerikane. Siqodoftë, edhe pse diskursi mbi misionin dhe rolin e Amerikës si një vend “eksepsional”, nuk ka qenë shkaku i politikës së jashtme të atij vendi, ai, sidoqoftë, ka pasur një rëndësi të madhe në mënyrën se si Amerika i ka vlerësuar—dhe vazhdon t’i vlerësojë—vendin dhe rolin e saj në botë.

Në analizat e mia në librin në fjalë, jam mbështetur në dokumente historikë, në tekste politikë dhe në një literaturë të gjerë të shkruar mbi këtë subjekt. Duke qenë, në thelb, skeptik ndaj këtij koncepti, unë nuk mbaj një qendrim të caktuar, por e lë në gjykimin e lexuesit të vlerësojë nëse veçoritë historike të krijimit të  Shteteve të  Bashkuara dhe ADN-ja kulturore e amerikanëve i bëjnë ata një popull “eksepsional” dhe nëse kjo e legjitimon “misionin” e Amerikës si fuqia drejtuese e globit.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu