Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar se dy bordet e ngritura nga qeveria për kontrollin e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore po deformojnë konkurrencën në treg.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i Autoritet të Konkurrencës raportoi punën njëvjeçare, Braçe i bëri thirrje Autoritetit të Konkurrencës të jetë më aktiv në situatën e rritjes së çmimeve në treg, pasi bordet janë të përkohshme, ndërkohë që ajo që duhet të jete e përhershme është liria dhe konkurrenca në tregje.
Ish-zëvendëskryeministri tha se çmimet nuk duhet të caktohen nga bordet por me rregullat e konkurrencës së lirë, pavarësisht se sipas tij, qëllimi i qeverisë është mbrojtja e konsumatorëve. Gjatë fjalës së tij, kreu i Konkurrencës, Denar Biba, tha se gjatë vitit 2021 morëm 94 vendime, 10 prej këtyre monitorimeve janë shndërruar në procedura hetimore.
Por, për deputeten e PD-së Jorida Tabaku, nga Autoriteti i Konkurrencës ende nuk kemi rezultate apo hetime në lidhje me koncesionet dhe PPP-të. Sipas saj, rritja e çmimeve nuk mund të parandalohet kjo rritje me shpikje komuniste apo fashiste.
DISKUTIMET
Denar Biba: Gjatë vitit 2021, ka përmbushur detyrimet ligjore me qëllim respektimin dhe garantimin e rregullave të lojës në mënyrë të ndershme nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Kemi ndjekur me kujdes rekomandimet e lëna nga Kuvendit i Shqipërisë për vitin 2020. Gjatë vitit 2021, ne si Komision Konkurrence kemi marrë 94 vendime, në mënyrë të përmbledhur vendimmarrja ka konsistuar në një sërë gjetjesh autorizime, rekomandime, masa të përkohshme, gjoba, etj.
Konkretisht, këto janë realizuar në tregjet sensitive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit 12 monitorime, praktikisht në: tregun e telefonisë celulare, prokurimet publike, sigurimeve, produktet paramjekësore, grurit dhe miellit, naftës bruto, vajit vegjetal, menaxhimit të faciliteteve të parkimit të “Tirana International Airport”, arsimit të lartë, FSHF-së dhe tregut digjital. 10 prej këtyre monitorimeve janë shndërruar në procedura hetimore. Që prej janarit të këtij viti Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur një grup pune për realizimin e amendimeve. Nga gjobat, Autoriteti i Konkurrencës ka derdhur në buxhetin e shtetit shumë 16.65 milionë lekë.
Erion Braçe: Ndodhemi në mes të një krize çmimesh. Autoriteti i Konkurrencës nuk cakton çmime. Është ekonomia, tregu dhe kërkesë-oferta që duhet të vendosin çmimet në treg. Mes kësaj situatë qeveria ka zgjedhur një instrument të sforcuar por për të mbrojtur konsumatorin që është krijimi i këtyre bordeve. Mosfunksionimi i tregjeve dhe mungesa e konkurrencës në to është një problem shumë i madh, që sot po e paguan qytetari pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë me anë të dy bordeve. Roli i qeverisë në dhënien e të drejtave ekskluzive, apo koncesioneve është kufizuar, por kjo nuk do të thotë që qeveria të mos zbatojë të gjitha detyrimet që ka ndaj tregjeve.
Qeveria në asnjë rast nuk duhet që ndërhyrja e saj, edhe me të tilla instrumente, të deformojë konkurrencën në treg. Nafta ka jo vetëm përqendrim, por edhe mungesë transparence të plotë. Në bursë nuk blihet sot për nesër, por për 1 deri në 6 muaj. Blihet sot për dhjetorin, ndërsa skema që na është referuar, thonë që duhet të shesin me çmimin koherent të bursës në atë periudhë. Është një skemë që ka përqendruar tregun, ka zbehur konkurrencën e që ka sjellë këto çmime.
Jorida Tabaku: Autoriteti duhet të jetë më aktiv në kontrollin paraprak të PPP dhe të drejtave eskluzive që atyre mund ti jepen dhe në kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurrencës. Autoriteti Konkurrencës nuk ka arritur që të jetë në shërbim të asaj që i përcakton ligji pra, publikut. Nuk kemi ende rezultate apo hetime në lidhje me prokurimet publike, Koncesionet dhe padyshim PPP. Janë vënë re shume shkelje të MSA-së si Aeroporti i Vlorës, Porti i Durrësit e kështu me radhë dhe juve nuk keni marrë ndonjë hetim për këto monopole. Rritja e çmimit të vajit, rritja e produkteve ushqimore dhe shportës së konsumit nuk janë hetuar nga Autoriteti Konkurrencës. Çmimet e produkteve ushqimore që janë rritur, nuk mund të parandalohet kjo rritje me shpikje komuniste apo fashiste.