Këtë javë Florida arriti një rekord të zymtë pasi numri i rasteve të infektimeve me COVID në këtë shtet i kaloi 100 mijë ndërsa më shumë se tre mijë vetë kanë vdekur nga virusi. Pavarësisht shtimit së rasteve, Florida hyri në fazën e dytë të rihapjes me bizneset jo thelbësore që punojnë me kapacitet 50 përqind ndërsa plazhet mbeten të hapura.
Aleх Dzhugan zotëron disa restorante dhe atë që dikur ishte një biznes i suksesshëm furnizimi ushqimor në Florida. Ai punonte me organizimin e dasmave dhe evenimenteve të korporatave dhe shpresonte të zgjerohej kur pandemia e koronavirusit goditi Shtetet e Bashkuara. “Biznesi i restorantit është një industri fitimprurëse, çdo gjë po shkonte mirë. 2020 supozohej të ishte një vit rekord për ne– kishte plot turistë, njerëzit po shpenzonin shumë para dhe hanin jashtë. Mos gatimi në shtëpi u kthye në modë”, thotë Alex Dzhugan.
Sot, në këtë botë pandemike, restorantet e Dzhuganit ndjekin rregulloret – ato punojnë me 50 përqind kapacitet dhe të gjithë punonjësit veshin doreza dhe maska për fytyrën. “Njerëzit filluan të kthehen, duke bërë porosi dhe dërgesa. Por shumë restorante u mbyllën, kështu që ato që mbijetuan tani fitojnë pak më shumë sesa duhet; tani ka më pak konkurrencë. Ne bëjmë kontrolle të temperaturave për punonjësit tanë çdo ditë, u kërkojmë atyre që të lajnë duart rregullisht, të veshin maska për fytyrën dhe doreza dhe t’i ndërrojnë ato shpesh”.
Njerëzit që vijnë në këtë restorant thonë se janë mirënjohës për rihapjen graduale. “Nuk kam frikë të shkoj në restorante, kam më shumë frikë se ato do të mbyllen! Jam lodhur së qëndruari në shtëpi dhe jam lodhur nga gatimi!”, thotë Lidiya, banore në Majami. Kur në mes të qershorit numri i rasteve pozitive të COVID filloi të rritej në Florida, autoritetet lokale e lidhën atë me rritjen e numrit të njerëzve që po testohen – më shumë se 1.6 milion që nga fillimi i pandemisë. Por epidemiologët thonë se shtimi i testimeve nuk është arsyeja më e mundshme për rritjen e numrit të rasteve.
“Mendoj se rritja e shpejtë e rasteve në Florida është një sinjal i vërtetë, dhe ka të ngjarë që epidemia të shtohet. Kjo rritje duket se ka filluar në fund të majit, dhe kështu pres që të shohim rezultate në vdekje nga këto infeksione që mund të ndodhin deri në fund të qershorit”, thotë Caroline Buckee në universitetin e Harvardit. Autoritetet janë të shqetësuara se kjo mund të nënkuptojë fillimin e një valë të dytë të koronavirusit në Florida.
Si rezultat, Carlos Gimenez, kryebashkiak i kontesë Miami-Dade, po kërkon që banorët të veshin maska për fytyrën në publik, brenda dhe jashtë, dhe u bëri thirrje njerëzve të praktikojnë distancimin shoqëror. “… Fati i ekonomisë është vërtet në duart e perceptimit të konsumatorit. Nuk mendoj se Florida ka qenë tërësisht e papërgjegjshme… Nga ana tjetër, fakti është se është një ekonomi e varur nga turizmi që është një pjesë shumë e madhe e ekonomisë së shtetit. Dhe të kesh këto biznese që i shërbejnë asaj pjese të ekonomisë të mbyllura për një kohë të gjatë, do të ishte shumë e vështirë të përballohej nga politikanët e shtetit”, thotë John Quelch. Të gjitha shtetet që tani po i lehtësojnë ngadalë masat e rrepta duhet të balancojnë rimëkëmbjen e ekonomisë me sigurinë. Një punë që po duket të jetë jashtëzakonisht e vështirë./VOA
Burimi: top-channel.tv