Restaurohen kolonat e rrëzuara në Apoloni

0
Gjigandi

U mendua se kolonat e Nimfeut në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ishin dëmtuar pas deklaratave të arkeologut Neritan Ceka se qyteti antik ishte grek. Por kjo ishte vetëm një fake neës sepse kolonat ishin rrëzuar disa muaj më parë se sa batuta e Vittorio Sgarbit të pushtonte debatet televizive.

Gazetarët e Top Channel verifikuan në vendin e ngjarjes se cfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Ndërkohë është lajmëruar se ka nisur puna për restaurimin e dy kolonave të dëmtuara të Nimfeut, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Specialistët e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore-IKTK kanë nisur zbatimin e projekt-restaurimit të kolonave të Çezmës Monumentale- Nimfeut, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimimeve, pranë Ministrisë sëKulturës.
Projekti ka si qëllim ringritjen në vertikalitet me metodën e anastilozës të kolonave të fasadës monumentale të Nimfeut.
Projekti ka filluar zbatimin në 22 qershor, së pari, me masat e sigurimit teknik dhe pastrimin e territorit, për të vijuar me fillimin e punës ndërhyrëse.
Aktualisht janë ringritur në vertikalitet të dyja kolonat e rrëzuara, duke realizuar ngjitjen e tamburëve dhe kapiteleve përkatëse.
Puna po vazhdon me pjesën e integrimit,duke realizuar mbushjen e lakunave, për të siguruar stabilitet të kolonave ( me material të rikthyeshëm).
Dy kolonat e fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë dëmtuar dy muaj më parë. Ato janë gjetur të dëmtuara gjatë kontrollit nga punonjësit e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, në datën 13 prill 2020, të cilët kanë bërë denoncimin pranë Drejtorisë së Policisë Vendore, Fier, e cila menjëherë nisi punën për zbardhjen e ngjarjes.
Njëkohësisht, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis vuri në dijeni Ministrinë e Kulturës.
Nga inspektimi në terren u konstatua se kolonat kishin pësuar shkëputje të tamburëve nga njëri-tjetri dhe ciflosje. Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut hartoi menjëherë një projekt restaurimi, i cili u aprovua pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës.
I gjithë zbatimi i projektit mendohet të përfundojë brenda një periudhe kohore 3 javore.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu