Një raport, i cili pritej prej kohësh dhe i publikuar të martën mbi ndikimin rus në politikën britanike, kritikon qeverinë mbi përgjigjen e saj të ngadaltë ndaj ndërhyrjes ruse në referendumin e 2016 për shkëputjen e vendit nga BE-ja (Brexit).
Autorët e tij thonë se ishte “befasuese” që askush nuk kërkoi ta mbrojë atë proces demokratik. Në raport akuzohet qeveria britanike për “shmangie në mënyrë aktive” për të shqyrtuar provat mbi një kërcënim rus ndaj referendumit. “Duhet të ishin ngritur pyetje serioze“, thonë autorët e raportit.
Ndërsa në raportin e Komisionit parlamentar për Zbulimin dhe Sigurisë thuhej se do të ishte “e vështirë në mos e pamundur” të provoje “dyshimet se Rusia u përpoq të ndikojë në referendum, ishte e qartë se qeveria pse “u tregua e ngadaltë për të njohur ekzistencën e këtij kërcënimi” edhe pas daljes së provave të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane dhe në referendumin skocez për pavarësi në 2014.
“Si rezultat, qeveria nuk ndërmori veprime për të mbrojtur procesin në Britani në vitin 2016“, thuhet në raport.
Në dokument thuhet gjithashtu se Rusia e sheh Britaninë si një nga objektivat e saj kryesorë të zbulimit në Perëndim. Ndikimi rus në Britani është “normalja e re” dhe qeveritë e njëpasnjëshme i kanë mirëpritur oligarkët rusë krahë-hapur, sipas raportit. Rusët me “lidhje shumë të ngushta” me Presidentin Vladimir Putin ishin “integruar mirë në skenën politike, shoqërore e atë të biznesit në Britani dhe në veçanti në Londër”.
Në një koment të martën përpara publikimit të raportit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia “nuk ka ndërhyrë kurrë në proceset zgjedhore të asnjë vendi të botës”. “As në Shtetet e Bashkuara, as në Britani dhe as në asnjë vend tjetër. Ne nuk e bëjmë këtë gjë dhe nuk tolerojmë kur vendet e tjera përpiqen të na ndërhyjnë në çështjet tona politike“, tha zoti Peskov.
Sipas autorëve, dokumenti u bë subjekt i një vonese të pashembullt në hartimin e tij dhe se zyrtarët e kishin bllokuar publikimin për më shumë se gjashtë muaj. Kritikët thonë se shtyrja e publikimit të raportit kishte për qëllim ta mbronte ta turpërimi Kryeministrin Boris Johnson dhe partinë e tij Konservatore.
Raporti i ishte dërguar fillimisht zotit Johnson më 17 tetor. Qeveria fillimisht tha se nuk mund të botohej derisa të kryehej një proces rishikimi mbi çështje të sigurisë kombëtare, të cilat shtynë publikimin e tij deri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit. Të tjera vonesa u shkaktuan për shkak të emërimin të anëtarëve të rinj të Komisionit të Zbulimit dhe Sigurisë. Më në fund zoti Johnson emëroi pesë ligjvënës konservatorë në komisionin prej nëntë anëtarësh me shpresën se një nga kandidatët e caktuar nga ai do të zgjidhej kryetar, e do ta bllokonte raportin. Por përpjekja dështoi kur një konservator renegat, u zgjodh për të kryesuar komisionin me mbështetjen e opozitës.
Partia në opozitë ajo Laburiste ka akuzuar qeverinë se ka dështuar me pengimin e botimit të raportit pasi dokumenti do të ngrinte pyetje të mëtejshme mbi lidhjet mes Rusisë dhe fushatës pro-Brexit në referendumin e vitit 2016 që u mbështet nga zoti Johnson.
Një tjetër komision parlamentar ai mbi Çështje Dixhitale, Kulturës, Medias e Sportit publikoi më herët rezultatet e një hetimi mbi dezinformimin dhe “lajmet e rreme”. Raporti u bënte thirrje enteve rregullatorëve të zgjedhjeve dhe zbatimit të ligjit për të hetuar rreth njoftimeve se një biznesmen britanik me lidhje me Rusinë kishte dhuruar 10.6 milionë dollarë për fushatën e shkëputjes së vendit nga BE-ja (Brexit). Agjencia Kombëtare e Krimit tha në shtator se nuk kishte gjetur asnjë provë që mund ta lidhte këtë dhurim me ndonjë vepër penale.
Raporti i komisionit të Zbulimit pasqyron një gamë të plotë të kërcënimit rus ndaj Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhje, spiunazhin dhe përpjekjet për atentate siç ishte përpjekja për të vrarë ish-spiunin Sergei Skripali në qytetin anglez të Salisburyt dy vjet më parë, tha Dominic Grieve, i cili kryesoi komisionit derisa u largua nga Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik, pas zgjedhjeve.
Shpjegimet e qeverisë mbi vonesat në publikimin e raportit “thjesht nuk janë të besueshme”, tha zoti Grieve në një intervistë për “Channel 4 News”.
Publikimi i raportit vjen vetëm disa ditë pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja akuzuan hakera të lidhur me agjencitë ruse të zbulimit se ishin përpjekur të vidhnin informacione nga studiuesit që po punojnë për një vaksinë të mundshme kundër koronavirusit./VOA/
Burimi: top-channel.tv