Apple prezantoi lidhjen satelitore emergjente me modelet e saj iPhone 14 vjeshtën e kaluar dhe padyshim që pajisjet Android nuk mund të ishin shumë prapa. Gjatë ditës së djeshme në CES Qualcomm prezantoi Snapdragon Satellite, një shërbim i dyanshëm i mesazheve satelitore që do të jetë i disponueshëm në “telefonat e mençur premium të gjeneratës së ardhshme Android”.
Kjo është bërë e mundur përmes një partneriteti me Iridium, i cili operon një plejadë satelitore të fortë të orbitës së ulët të Tokës me 66 njësi. Një nga konkurrentët kryesorë të saj është Globalstar, i cili është partneri i Apple për shërbimin e tij.
Snapdragon Satellite do të mbështesë mesazhe të dyanshme për përdorim urgjent, mesazhe SMS dhe “aplikacione të tjera të mesazheve”. Qualcomm thotë qartë se nuk do të jetë vetëm për emergjenca, por edhe për “rekreacion në vende të largëta, rurale dhe në det të hapur”, raporton GSM Arena.
Kjo veçori do të mbështetet duke filluar me pajisjet që kanë çipin Snapdragon 8 Gen 2. Mesazhet e urgjencës në Snapdragon Satellite “është planifikuar të jenë në dispozicion tek telefonat e mençur të gjeneratës së ardhshme, të lansuara në rajone të zgjedhura duke filluar nga gjysma e dytë e 2023”, kjo sipas Qualcomm.
Snapdragon Satellite mund të zgjerohet edhe në pajisje të tjera, si laptopë, tablet, makina dhe produkte IoT. OEM dhe zhvilluesit e aplikacioneve mund të ofrojnë shërbime unike të markës duke përfituar nga lidhja satelitore. Snapdragon Satellite do të mbështesë Rrjetet Jo-Terrestriale 5G (NTN) kur ato bëhen të disponueshme.
Garmin do të bashkëpunojë me Qualcomm “me mbështetje për mesazhe emergjente”. Brad Trenkle, nënkryetar i segmentit të jashtëm të Garmin, tha “Garmin mirëpret mundësinë për të zgjeruar shërbimet tona të provuara të reagimit satelitor në urgjencë për miliona përdorues të rinj të telefonave të mençur në mbarë botën.
Garmin Response mbështet mijëra thirrje SOS çdo vit dhe ka të ngjarë të ketë shpëtuar shumë jetë në proces, dhe ne mezi presim të bashkëpunojmë me Qualcomm Technologies dhe Iridium për t’i ndihmuar njerëzit të lidhen me shërbimet e urgjencës pavarësisht se ku i çon jeta”.