Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti pas takimit me Nenad Rashqin, tha se arsyeja e takimit ka qenë për të parë së afërmi se si ka shkuar procesi zgjedhor i 6 tetorit në zonat serbe. I pyetur se a i ka bërë ofertë Rashqit për koalicionin e ardhshëm dhe si ishte vullneti i tij, Kurti u rezervua në përgjigje, por shprehu fjalë të mira për Rashiqin, duke e cilësuar si njërin ndër serbët e Kosovës më të ndershëm sa ishte pjesë e institucioneve të Kosovës. Kurti para mediave foli edhe për diskutimet për koalicion qeverisës me LDK-në, teksa tha se javën e ardhshme pritët të diskutojnë grupet punuese për harmonizim të programeve. Për dallim nga Albin Kurti, Nenad Rashiq përkundër insistimit nuk ka dashur të deklarohet për media. Kurti ka thënë se me Rashiqin nuk kanë biseduar për koalicionin, por për procesin zgjedhor. Ai ka thënë se Rashiq ishte i zhgënjyer me procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë. “Bisedova me të për procesin zgjedhor, si ka shkuar në komunat me shumicë serbe. Ai ishte i zhgënjyer. Pra nuk ishte një takim për, lë të themi, koalicionin e ardhëm qeverisës, meqë ne do të merremi më shumë me bisedimet që tashmë i kemi me Lidhjen Demokratike të Kosovë. Ky është një hap i mëvonshëm pasi ne t’i përmbyllim bisedimet me LDK-në. Isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin si ka shkuar në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Kurti.