Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka thënë: “Punë me përkushtim për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit”.
“Brenda vitit 2022 sporti i Kosovës do të bëhet me strategji zhvillimore. Ky është zotimi i Grupit Punues për hartimin e strategjisë, anëtarët e të cilit i takova sot. Konform rëndësisë që ka strategjia, në krye të Grupit Punues është Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit Bislim Bislimi.
Veç anëtarëve nga stafi i brendshëm i Ministrisë, pjesë e Grupit Punues janë edhe Arben Fetahu, kryetar i FBK-së dhe Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm i KOK-ut.
Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit së shpejti pritet t’i bashkohen edhe konsulentët vendorë dhe ndërkombëtarë. Paralelisht është duke u zhvilluar procesi i grumbullimit të të dhënave sportive nga klubet dhe federatat, si dhe analiza e gjendjes së infrastrukturës fizike sportive në gjithë Kosovën.
Grupi Punues ka gjithë mbështetjen time dhe të Qeverisë së Kosovës, dokumenti strategjik për sportin do jetë udhërrëfyes shumë i vlefshëm për rritjen e cilësisë së garës sportive në vend, suksesin ndërkombëtar, masivizimin e sportit për mirëqenie e shëndet dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik të sportit”, ka shkruar ministri në profilin e tij në facebook.