Pse është kaq e rëndësishme t’i falim prindërit

0
Gjigandi

Eni, ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, përloti publikun kur rrëfeu mes emocionesh për divorcin e prindërve si edhe gjurmët që kishte lënë në jetën e tij varësia e të atit ndaj alkoolit. Modeli tregoi se ai dhe nëna e tij kishin pasur një jetë të vështirë, mirëpo pavarësisht të gjithave, ai tregoi se e ka faluar të atin. “Babi, të përshëndes shumë! Edhe të dua, pavarësisht të gjithave,” tha Eni në fund.

Pse është kaq e rëndësishme t’i falësh prindërit?

Falja e prindërve është një nga llojet më të rëndësishme dhe më të vështira të faljes. Por çfarë është falja në vetvete?

Të falësh do të thotë “të pushosh së ndjeri zemërim ndaj dikujt që ju ka mërzitur/lënduar”. Megjithatë, është klishe të fillosh me një përkufizim fjalori sepse falja është një nga konceptet më të keqkuptuara në psikologji; është e vështirë për t’u kuptuar dhe e vështirë për t’u bërë, por përfitimet e shëndetit mendor dhe fizik janë të qarta.

Falja nuk është e njëjta gjë me harresën. Kur falni dikë, nuk do të thotë që ju harroni apo justifikoni veprimet e tij. Falja nuk do të thotë se nuk duhet ose nuk mund të keni më ndjesi për situatën dhe nuk do të thotë se nuk ka asgjë më tej për të zgjidhur. Falja nuk është diçka që e bëni për të mirën e dikujt tjetër. Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që duhet të dini për të.

RonaTyra

Pse nuk i falni dot prindërit?

1. Ju mund të doni hakmarrje. Duke mos falur, ju ndiheni në kontroll të situatës.
2. Ju nuk dini si ta zgjidhni situatën, kështu që është më e lehtë të qëndroni fshehur pas zemërimit.
3. Ju dëshironi të qëndroni të lidhur me personin që ju lëndoi dhe ndërkohë që zemërimi dhe pakënaqësia nuk janë pozitive, duke mos falur mund ta mbani ende lidhjen.
4. Ndiheni më të sigurt kur jeni të shkëputur emocionalisht nga personi që ju ka lënduar.
5. Ju jeni të lidhur me lëndimin dhe zemërimin.

POR, ndoshta arsyeja më e rëndësishme: Ju nuk e dini se si falja do t’ju sjellë dobi!

Falja është më e mirë për ju sesa për personin që falni. Kur falni, ju çlironi veten nga pakënaqësia, dhimbja dhe ngecja me të kaluarën. Kur e falni dikë, ju bllokoni ndikimin negativ që ky individ ka në jetën tuaj. Duke falur, ju mund të jetoni plotësisht në të tashmen sepse shkëputeni nga e shkuara. Pa faljen, lëndimet mund të vazhdojnë t’ju mbajnë “lidhur” në të kaluarën.

Si ta nisësh rrugëtimin drejt faljes së prindërve?

Largoje pakënaqësinë

Sado e çuditshme të duket, inati është një mënyrë për të mos u ndarë dhe kur mbajmë mëri ndaj një prindi, nuk jemi të kapur vetëm pas prindit, por më konkretisht me pjesën e keqe të tij/saj. Pra, është sikur nuk duam të jetojmë jetën tonë derisa ta kemi zgjidhur këtë. Ne e bëjmë këtë për arsye psikologjike. Por rezultati është krejt i kundërt: ne qëndrojmë të mbyllur në të keqen dhe nuk rritemi.

Kini pritshmëri realiste

Gabimet e prindërve janë ndër më të vështirat për t’u falur. Dekadë pas dekade, ne kemi shpresë, shpesh në mënyrë të pandërgjegjshme, se ata më në fund do të bëhen më të mirë. Ne duam që ata të pranojnë të gjitha gabimet, të kërkojnë falje, të luten që t’i falim. Ne duam që prindërit tanë të na përqafojnë, të na thonë se e dinë se ishim fëmijë të mirë, të zhbëjnë faktin që kanë preferuar më shumë një vëlla/motër etj.

Kini parasysh edhe gjërat e mira

Shumica e prindërve i duan fëmijët e tyre, me përjashtime. Por asnjë prind nuk është i përsosur.

Ndajini gjërat

Të falësh nuk do të thotë të falësh gjërat e këqija që kanë bërë prindërit; nuk do të thotë të mohosh egoizmin, refuzimet, poshtërsinë, brutalitetin, dhunën, varësinë, të metat e karakterit etj. Prandaj është e rëndësishme të ndahemi nga prindërit – që do të thotë të mos e shohim veten si fëmijë që varen prej tyre për mirëqenien tonë emocionale, të ndalojmë së qeni viktima të tyre, të pranojmë se jemi të rritur për të formësuar jetën tonë.

Një rrugëtim i vështirë

Duhet të jemi gati për të falur. Ju duhet të doni të falni. Sa më e thellë të jetë plaga, aq më i vështirë është procesi – gjë që e bën veçanërisht të vështirë faljen e prindërve. Gjatë rrugës, mund të shprehim indinjatë, mund të zemërohemi dhe të inatosemi, madje mund të na duhet të ndëshkojmë prindërit duke mbajtur inat. Por në fund, kur të jeni gati për të falur, gjithçka do t’ia vlejë.

Po sikur të mos i fal?

I falni ose jo, kjo është në dorën tuaj. Por sido që të jetë, lëreni të shkojë lëndimin. Përpiquni ta lini në të kalurën këtë histori. Përqendrohuni tek e tashmja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu