Procedurat për liberalizimin e vizave për Kosovën nisin më 13 tetor

0
Gjigandi

Më 13 tetor, grupi i punës i Bashkimit Evropian (BE) për viza do të diskutojë për herë të parë propozimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Çështja e liberalizimit të vizave është përfshirë në agjendën e këtij grupi punues. Nga ajo ditë do të konsiderohet se zyrtarisht kanë filluar procedurat përkatëse legjislative, të cilat do të çojnë në heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Javën e kaluar, Presidenca Çeke e BE-së u dërgoi një letër vendeve anëtare duke njoftuar synimin e saj për ta përfshirë zyrtarisht këtë çështje në axhendën e grupit të punës në tetor.

Në një dokument në të cilin ka qasje Radio Evropa e Lirë (RSE), thuhet se presidenca çeke shpreson që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë një marrëveshje të brendshme politike për këtë çështje.

“Liberalizimi i regjimit të vizave është element kyç i procesit të integrimit të Kosovës në BE, i cili ka kohë që ka vonuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor (dhe një nga vendet e pakta në Evropë) që ende nuk e ka pranuar një regjim pa viza nga BE-ja. Ky fakt ka një ndikim të rëndësishëm negativ në atmosferën në vend dhe qëndrimin e qytetarëve të Kosovës për drejtësinë dhe besueshmërinë e BE-së”, thuhet në letër.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen.

RonaTyra

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur liberalizimin e vizave që nga dhjetori 2009, dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria e morën atë një vit më vonë, në dhjetor 2010.

Në vitin 2012, Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se vendi i plotësonte të gjitha kriteret për heqjen e regjimit të vizave.

Parlamenti Evropian, një nga dy institucionet që vendos për këtë, disa herë ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Prej vitesh çështja është në nivel politik, pra në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili merr vendimin përfundimtar, për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik për të ecur përpara.

Sipas procedurave në institucionet evropiane, pasi Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për një vend, procesi i vendimmarrjes zhvillohet në dy pista: në nivel të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së.

Vendimi merret me shumicë të cilësuar, që nënkupton votën e 55 për qind të shteteve anëtare, popullsia e të cilave përfaqëson 65 për qind të të gjithë popullsisë së BE-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu