Prezantimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e inaugurimit të Forumit të …

0
Prezantimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e inaugurimit të Forumit të …
Gjigandi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë pjesë në inaugurimin e Forumit të Prakticentëve, të organizuar nga Grupi Këshillëdhënës për Sundim të Ligjit “RoLAG” – ku së bashku me Institutin e Bazelit për Qeverisje është duke implementuar projektin e financuar nga Zyra e UNDP-së në Kosovë “Mbështetje për themelimin e Zyrës për rikuperimin e pasurive dhe krijimin e qendrës burimore”.

Kjo ceremoni është hapur me një fjalë mirëseardhjeje nga Drejtoresha Ekzekutive e RoLAG-ut, Flakrina Osmani, ku përveç Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi kanë marrë pjesë edhe Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, Këshilltari kryesor teknik në çështjet Antikorrupsion i Zyrës së UNDP-së në Kosovë, Mato Mayer, ekspertët nga Instituti i Bazelit për Qeverisje, Jonathan Spicer dhe Stephen Ratcliffe, të cilët prezantuan çështjet e identifikuara nga Instituti i Bazelit në kuadër të aktivitetit të mentorimit të rasteve, prokurorë dhe përfaqësues nga institucionet e ndryshme të zbatimit të ligjit.

Forumi i Prakticientëve “Know How Forum”, është një trup për zhvillimin e njohurive kumulative në fushën e rikthimit të aseteve.

Më poshtë gjeni prezantimin e plotë të Kryeprokurorit të Shtetit në inaugurimin e Forumit të Prakticentëve:

I nderuari Koordinator z. Fazliu,

RonaTyra

I nderuari z. Mayer,

Të nderuar ekspertë, zotërinj: Jonathan Spicer dhe Stephen Ratcliffe nga Instituti i Bazelit për Qeverisje,

Të nderuar pjesëmarrës,

Me lejoni fillimisht të shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme dhe për të pasur mundësinë që t’ju drejtohem me një falënderim për bashkëpunimin tonë të deritashëm. Natyrisht që synojmë të çojmë deri në fund bashkëpunimin tonë dhe ky moment paraqet një hap më tutje në përpjekjet tona për të sendërtuar një infrastrukturë sa më bashkëkohore për konfiskimin.

Duke qenë se jam në fund të mandatit tim si Kryeprokuror i Shtetit, më lejoni të theksoj së gjatë gjithë kësaj periudhe i kemi kushtuar rëndësi të madhe kësaj fushe. Jam i kënaqur të shoh pas vetës një punë vërtet me rezultate të prekshme. Kemi një infrastrukturë krejtësisht tjetër nga se kishim në vitin 2014.

Më lejoni të theksoj se kemi marrë vendim në Këshillin Prokurorial të Kosovës që kryeprokurorët të vlerësohen edhe në bazë të suksesit që kanë arritur prokuroritë që ata i udhëheqin në fushën e konfiskimit dhe kemi krijuar rrjetin e prokurorëve koordinatorë të konfiskimit, të cilët bashkërendisin veprimet në rastet e konfiskimit dhe sekuestrimit.

Tashmë prokurorët e shtetit gjithnjë e më shumë, krahas hetimeve penale, janë duke bërë edhe hetime financiare për t’i identifikuar të ardhurat nga krimi, ryshfeti, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shkeljeve të tjera në mënyrë të kundërligjshme dhe ato t’ia kthejnë buxhetit të Kosovës.

Në këtë drejtim, në disa raste të shënjestruara kemi bashkërenditur veprimet edhe me institucionet e tjera zbatuese të ligjit, si me: Policinë e Kosovës, inteligjencën financiare, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës. Ky bashkëpunim është duke na ndihmuar për të identifikuar veprat penale dhe pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme, transferimin e pasurisë në patundshmëri dhe tentimet për legalizimin e parave të përfituara nga krimi. Gjithashtu në disa rast jemi duke punuar për t’i identifikuar burimet legjitime të të ardhurave dhe nëse përputhen ato me pasurinë e krijuar.

Duke parë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet gjithnjë e më komplekse, pasi që paratë e përfituara nga kryerja e këtyre veprave penale po përpiqen të legjitimohen përmes pastrimit të parave dhe përmes investimeve në aktivitetet të tjera jashtë vendit duke gjeneruar më tepër para, por edhe më tepër fuqi.

Krejt këto vështirësojnë punën e organeve zbatuese të ligjit, prandaj është e nevojshme që të përkushtohemi jo vetëm brenda vendit, por edhe në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar si mundësi për identifikimin e pasurisë së transferuar jashtë vendit dhe kthimin e asaj pasurie në vendin tonë.

Në këtë drejtim, prokurorët duhet të rrisin bashkëpunimin edhe me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ), i cili me ekspertizat e veta mund të na ndihmojë shumë në identifikimin e pasurisë jashtë shtetit tonë.

Me identifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, krimin do ta bëjmë të pafrytshëm dhe individët e korruptuar do t’i margjinalizojmë dhe do t’i bëjmë të parëndësishëm, ndërsa grupeve kriminale do t’jua marrim fuqinë ekonomike.

Ekziston një parim i vjetër penalo-juridik që duhet edhe ne ta zbatojmë, që, faktikisht, është parim civilizues, sipas të cilit, askush nuk mund të mbajë produktet e përfituara nga veprat penale.

Duke marrë parasysh se veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe formave të tjera të krimeve ekonomike janë të orientuara drejt përfitimeve materiale të fituara me vepra penale, konfiskimi efikas i pasurisë së përfituar me veprat e përmendura, tregon qartë se askush nuk mund të nxjerrë përfitime nga një veprim kriminal.

Zbatimi i dispozitave ligjore për konfiskim të pasurisë së përfituar me vepra penale shpeshherë është anashkaluar nga praktikat gjyqësore në vendin tonë, për shumë kohë, prokurorët dhe gjyqtarët janë përqendruar kryesisht të sanksioni i drejtë penal, duke i konsideruar pasuritë e fituara nga vepra penale si rrethanë rënduese gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.

Kjo duhet të ndryshojë në politikën e luftimit të krimit, me qëllim që krimi të goditet në të gjitha anët, për t’i dobësuar grupet kriminale, të cilat krijojnë përfitime nga veprimet kriminale të paligjshme, por edhe krijojnë bazë për kryerjen e veprave të tjera penale.

Padyshim që konfiskimi i pasurisë së përfituar me vepër penale ka rëndësi të madhe për luftimin e kriminalitetit dhe për parandalimin e krimit me qëllim që kriminelët potencialë të tërhiqen nga kryerja e veprave penale dhe t’iu bëhet e qartë se përfitimet e krijuara nga krimi do të jenë më të vogla sesa rreziqet që do të vinin si rezultat i ndëshkimit penal.

Me qëllim që të kemi rezultate sa më të mira në konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme kemi nxjerr edhe Ligjin për konfiskimin e zgjeruar me qëllim që të konfiskohen asetet që nuk janë objekt i veprave penale, për të cilën i akuzuar është sjellë para gjykatës. Në këto raste konfiskimi zgjerohet edhe të asetet që nuk janë të ardhura të drejtpërdrejta ose të tërthorta të  krimit që po ndiqet penalisht.

Konfiskimi i zgjeruar bëhet jo vetëm për përfitimet nga një vepër penale e caktuar, për të cilën është dënuar kryesi, por shtrihet për t’i përfshirë të gjitha përfitimet e marra nga veprimtaria kriminale.

Për të zbatuar ligjin për konfiskimin e zgjeruar, prokurorët duhet të gjurmojnë dhe identifikojnë asetet në fazën e hetimit. Asetet duhet t’i nënshtrohen ngrirjes, sekuestrimit ose ndalimit në mënyrë që të ndalojnë lëvizjen e pasurisë para çdo vendimi të formës së prerë në pritje të konfiskimit të përhershëm.

Nëse asetet e përfituara nga vepra penale nuk ngrihen, sekuestrohen, kryerësi i veprës mund ta lëvizë atë pasuri në përpjekje për ta fshehur ose shitur, prandaj ngrirja dhe sekuestrimi duhet të bëhet me urdhër të gjykatës që sendi të mbetet aty ku është dhe të bëhet rikuperimi i dëmit.

Kjo që thashë më lart, natyrisht se nuk do të thotë se kemi bërë mjaftueshëm dhe ende ka vend për përmirësim. Kemi nevojë shumë të madhe të kemi ndihmën e vazhdueshme nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga ekspertët e huaj sikurse është rasti edhe me këtë iniciativën e sotme për themelimin e Forumit të Prakticentëve.

Andaj, pres që takimi i sotëm të jetë një hap më tutje në avancimin e fushës së konfiskimit dhe rikuperimit të aseteve dhe mirëpres krijimin e këtij forumi, që besoj se do të jetë një ekip i cili do të ndihmojë dhe mbështesë gjithë sistemin prokurorial në një efikasitet më të lartë në konfiskimin pasurive të paligjshme.

Në fund, më lejoni që t’ju falënderoj edhe një herë për punën tuaj dhe shpresoj që sërish t’ju kemi në radhët tona në projektet e tjera, ndërsa unë zotohem se edhe nga pozita e prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit do të jem zë mbështetës në suksesin e këtij forumi.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu