Policia e Elbasanit ka goditur një rast të organizimit të lotarive të paligjshme, duke vënë në pranga 4 persona. Mësohet se janë arrestuar pronari i një lokali pasi akuzohet për organizimin e lojërave të fatit në ambientet e biznesit të tij i identifikuar si Luen Zeqo, 39 vjeç.
Gjitahshtu ‘blutë’ bëjnë me dije se janë arrestuar edhe Dritan Panxhi, 43 vjeç dhe Bruno Kumurija, 26 vjeç pasi akuzohen se kanë goditur me sende të forta N.K., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, raportohet se gjatë kontrollit në mjetin e Dritan Panxhit, i cili ishte në gjendje të dehur, u gjet dhe u sekuestruanjë thikë. Ndërsa A.A., 25 vjeç është arrestuar për dhunë në familje. Mësohet se i riu ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht gruan e tij.
Njoftimi i Policisë
Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, vihet në pranga pronari i lokalit ku ushtrohej kjo veprimtari e kundërligjshme. Arrestohen në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasi L.Z., 39 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një aparat celular me programe që përdoren për vendosjen e basteve sportive.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit D. P., 43 vjeç dhe B. K., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin N. K., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në mjetin që shtetasi D. P. e drejtonte në gjendje të dehur, u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 25 vjeç, banues në Librazhd, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit S. A., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/ABC24.al/